Ëndrra e Manchester Cityt për të ndjekur katër trofe këtë sezon do të vazhdojë sot, ku në kuadër të ndeshjes së parë të fazës së çerekfinales në Ligën e Kampionëve, pret në shtëpi skuadrën gjermane të Borussia Dortmundit.
Skuadra e Pep Guardiolas kaloi lehtësisht Borussia Monchengladbachun vetëm për të avancuar drejt fazës së 1/8-ës, kurse Dortmundi arriti që të kualifikohet tutje pas dy përballjeve tejet të vështira kundër Sevillas, përcjell KosovaPress.
Në gjashtë ndeshjet e fundit në të gjitha garat, Manchester City ka pesë fitore dhe një humbje, kurse Dortmundi ka regjistruar dy fitore, dy barazime dhe dy humbje.
Trajneri Pep Guardiola nuk ka probleme me lëndime, ku të gjithë lojtarët janë të gatshëm për këtë përballje. Trajneri spanjoll mund të zgjedhë sot që të paraqitet pa Joao Cancelon e Fernandinhon, vetëm për të evituar ndëshkimin me karton të verdhë, që do të thoshte se në ndeshjen e kthimit të dy lojtarët do të mungonin.
Në anën tjetër, Dortmundi nuk do mund të llogarisë në shërbimet e Dan-Axel Zagadou dhe Axel Witsel pasi që të dy janë të lënduar, ndërsa në dyshim për tu paraqitur janë Jadon Sancho dhe Nico Schulz.
Formacionet e mundshme të dy skuadrave i gjeni më poshtë.
Manchester City (4-3-3): Ederson; Cancelo, Dias, Stones, Mendy; Rodri, Gundogan, De Bruyne; Silva, Sterling, Foden
Borussia Dortmund (4-3-3): Hitz; Can, Akanji, Hummels, Guerreiro; Delaney, Bellingham, Dahoud; Hazard, Haaland, Reus