Maicon: Chivu është zgjedhja perfekte për Interin

Nëpërmjet faqeve të “Gazzetta dello Sport”, një prej legjendave të historisë zikaltër, Maicon, ka përshëndetur zgjedhjen e klubit për t’ia besuar stolin Cristian Chivu, pas largimit të Simone Inzaghi: “A është ai njeriu i duhur? Është absolutisht i duhuri.

Jam i njëanshëm për gjithçka që kemi kaluar bashkë dhe nuk mund t’i uroj gjë tjetër veçse më të mirën. Sidoqoftë, besoj me të vërtetë që ai ka cilësitë njerëzore dhe profesionale për të nisur një rrugëtim të ri fitues. Sigurisht që përpara e pret një punë shumë e vështirë, nuk është e lehtë, sepse dhimbja pas finales së Champions-it është e madhe.

E di mirë si është, sepse edhe unë kam kaluar nga ai 7-1 me Gjermaninë në një Botëror, në shtëpi… Por, nëse ka një njeri që di si të ringrihet në vështirësi, ai është Cristian Chivu”.

Për një cilësi dhe një të metë: “E meta…, atë pyetje bëjani gruas së tij. Cilësia? Është i ndershëm, një gjë që çdo lojtar do ta donte nga trajneri i tij. I thotë gjërat siç janë, pa dorashka, edhe duke u zemëruar nëse është e nevojshme. Në një dhomë zhveshjeje duhet t’iu shkosh drejt e në thelb problemeve”.

Për polemikën mbi mungesën e eksperiencës së rumunit (vetëm 13 ndeshje në Serie A, në stol), ish-mbrojtësi brazilian tha: “Në Parma bëri shumë mirë, por a mendoni vërtet se Chivu nuk ka eksperiencë? Kujtoni dhomat e zhveshjes ku ka qenë, betejat që ka fituar dhe humbur, trajnerët e mëdhenj që ka njohur.

Nga Mou, për shembull, ka mësuar si të menaxhojë një grup të nivelit të lartë, diçka që i shërben shumë në këtë moment, kur faktori psikologjik është thelbësor pas goditjes së marrë. Për mua eksperienca në këto nivele nuk ekziston. Ekziston vetëm një rrugëtim për t’u bërë bashkë me lojtarët, ditë pas dite”. /Telesport.al/

Read Previous

Lewis Hamilton: Kjo makinë nuk mund të luftojë për titullin, të mendojmë për 2026-tën

Read Next

Zgjedhjet Lokale 2025 | Nga 28 qershori deri më 29 gusht qytetarët mund të ndryshojnë qendrën e votimit