Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka lëshuar një deklaratë të fortë nga Singapori, duke kërkuar që Shtetet e Bashkuara të vendosin sanksione ndaj Rusisë nëse Moska refuzon një armëpushim me Ukrainën.
“Nëse Rusia konfirmon se nuk është gati për paqe, SHBA-të duhet të tregojnë angazhimin e tyre. Kjo është një test besueshmërie për amerikanët”, tha Macron gjatë një konference për shtyp të mbajtur së bashku me kryeministrin e Singaporit, Lawrence Wong.
Macron tha se ka zhvilluar një bisedë telefonike 48 orë më parë me presidentin amerikan Donald Trump.
“Ai shprehu padurimin e tij. Pyetja tani është: çfarë bëjmë? Ne (evropianët) jemi gati”, u shpreh ai.
Macron gjithashtu e cilësoi njohjen e një shteti palestinez si një “detyrë morale dhe një kërkesë politike”, duke e vendosur këtë çështje në prioritetin ndërkombëtar të Francës.
Presidenti francez do të mbajë sonte një fjalim në hapje të Dialogut Shangri-La, forumi më i madh i sigurisë dhe mbrojtjes në Azi, ku vitin e kaluar mori pjesë edhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.