Ligji i Sponsorizimit konsiderohet t’i këtë dhënë një shtytje të madhe zhvillimit të sportit në Kosovë duke bërë që shumë klube të përfitojnë financiarisht nga bashkëpunimi me bizneset vendore.
Por, jo gjithçka po shkon mirë në terren sa i përket funksionimit të tij pasi klubet ankohen se komisioni për lëshimin e vërtetimeve të sponsorizimeve brenda Ministrisë së Sportit po e vonon lëshimin e tyre përtej afateve ligjore dhe se kjo po ndikon direkt në pagesat që klubet duhet t’ua bëjnë lojtarëve dhe stafit të tyre.
Drejtori i përgjithshëm i klubit të futbollit Gjilani Syart Rrahmani thotë për KosovaPress, se ka klube që varen direkt nga të ardhurat nga ky ligj dhe se vonesat po e komplikojnë funksionimin e tyre.
Rrahmani: Vonesa e vërtetimeve po ndikon direkt në paga
“Stafi në Ministrinë e Kulturës është jashtëzakonisht bashkëpunues dhe e bëjnë maksimumin për t’i përgatitur dhe përgjigjur të gjitha kërkesave nga ana e klubeve sportive. Në dy vjetët e fundit, kërkesa për vërtetime nga ana e klubeve sportive janë rritur jashtëzakonisht shumë dhe mund të ketë vonesa në lëshimin e vërtetimeve për shkak të numrit të vogël të stafit në kuadër të Ministrisë së Kulturës dhe Sportit…Ka klube sportive që mbahen vetëm me anë të Ligjit të Sponsorizimit dhe nëse nuk kanë një buxhet vjetor që e kanë paraparë, atëherë është vështirë nga ana e tyre që t’i plotësojnë pagat ose shpenzimet tjera të cilat janë nëpër klubet sportive”, ka thënë Rrahmani.
Edhe pse thotë se si klub nuk kanë pasur shumë probleme në këtë drejtim, drejtori i KF Prishtina 01, Samir Borovci thotë për KosovaPress se ka raste kur për vonesa të tilla komisioni i MKRS-së arsyetohet për mungesë të stafit sidomos në periudhën e pushimeve.
Borovci: Klubet varen nga vërtetimet e sponsorizimeve
“Ne në klube kemi ose mbajmë, në klubin tonë kemi mbi 50 të punësuar, do të thotë kjo është një ndërmarrje. Klubet te ne nuk janë profitabile, sidomos klubet e ligave të nivelit të Ligës së Parë ku jemi ne, gjithçka është konsumuese dhe thjeshtë varemi edhe ne si klub edhe klubet tjera prej vërtetimeve që i marrim në ministri dhe mandej ato vërtetime i dërgojmë te sponsori me të cilin kemi bërë marrëveshje, i disburson mjetet dhe ne i ekzekutojmë. Zakonisht janë paga, shpenzime operacionale të cilat ne kemi nevojë t’i kemi…Ka pasur raste kur janë arsyetuar se stafi është pushim, është periudha e pushimeve, kjo ka zgjatur pak më shumë, por si klub nuk është se kemi pasur shumë probleme me këtë pjesë”, ka thënë Borovci.
Megjithëse afati ligjor është që një vërtetim sponsorizimi të lëshohet brenda 21 ditësh, Lendrit Palushi nga klubi i basketbollit Ylli thotë se këtë vit kanë hasur në probleme për marrjen e vërtetimeve dhe se ato janë vonuar.
Palushi: Ka vonesa deri në dy muaj për lëshimin e vërtetimeve nga MKRS-ja
“Me sa jam i informuar unë, komplet juria ose personat përgjegjës janë ndryshuar dhe normalisht koha e pushimeve tani ka bërë që të ketë edhe vonesa pasi që e dimë që pa qenë të gjithë anëtarët e komisionit nuk kalon asnjë vërtetim. Ne të gjitha planifikimet i kemi bërë në bazë të vërtetimeve kur i marrim. Këtë vit kemi pasur telashe me vërtetimet e kompanisë sonë, të cilat kemi pasur një vonesë për rreth një muaj e gjysmë ose dy, kur e dimë që datat fikse janë deri në 21 ditë për një vërtetim, kurse ne këtë vit është dashur të presim pak më shumë se një muaj e gjysmë dhe normalisht ajo ka përcjell edhe vonesa në pagesa”, theksoi Palushi.
Ndryshe, me Ligjin e Sponsorizimit iu hap rruga bizneseve që të investojnë në sport dhe 30 për qind e fitimit në tatim mund ta ndajnë për sportin./kosovapress/