Besimtarët myslimanë festojnë të premten festën e Kurban Bajramit. Qindra prej tyre janë tubuar për faljen e namazit të Bajramit në Xhaminë e Madhe në Prishtinë, aty ku mbahet ceremonia kryesore.
Myftiu Naim Tërnava ka bërë thirrje për paqe, teksa ka thënë se është festë gëzimi dhe reflektimi.
“Është ditë kur kujtojmë mëshirën e Zotit, faljen dhe begatinë që ai na dhuron. Është ditë kur në si besimtarë, por edhe si shoqëri, i kthejmë sytë edhe më shumë ndaj njëri-tjetrit me dhembshuri, solidaritet dhe përgjegjësi”, ka thënë Tërnava.
E liderët politikë po ashtu kanë uruar besimtarët dhe kanë dhënë mesazhin për paqe e solidaritet.
Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se Kurban Bajrami është thirrje për reflektim mbi vlerat më të larta njerëzore.
“Kjo festë shpërfaqë shpirtin e solidaritetit, na kujton rëndësinë e sakrificës, përkushtimit dhe ndihmës ndaj njëri-tjetrit. Kurban Bajrami është një thirrje për reflektim mbi vlerat më të larta njerëzore dhe për forcimin e lidhjeve, dashurisë dhe mirëkuptimit ndërmjet nesh”, ka thënë Osmani.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se kjo festë “na përkujton sa e rëndësishme është të japim e të ndajmë me njëri-tjetrin, në harmoni e me dashuri”.
Në vizitën që ka bërë në Bashkësinë Islame të Kosovës, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka uruar zhvillim e përparim për Kosovën.
“E patëm nderin sot të vijmë dhe të urojmë myftiun tonë dhe të gjithë kolegëve e besimtarëve shqiptarë myslimanë dhe gjithë kombit tonë festën e Kurban Bajramit. Festë që lidhet edhe me sakrificën, për t’iu qëndruar afër atyre që kanë nevojë. Është dëshmuar një solidaritet i madh dhe i ndërsjellë. Uroj të na çel Zoti rrugët si popull, sepse meritojmë zhvillim dhe të mirën e vendit”, tha ai./Koha.net