Letra e Gërvallës për Asociacionin, reagon Gjermania

Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ka thënë se dërgimi i draft-statutit për Asociacionin në Gjykatën Kushtetuese nga Qeveria është “hap konkret” për themelimin e tij.

“QUINT-i dhe të tjerët kanë theksuar vazhdimisht se Kosova pritet të ndërmarrë hapa konkretë për themelimin e Asociacionit në mënyrë që të arrijë shumicën e nevojshme prej dy të tretave në Komitetin e Ministrave që aplikimi për anëtarësim të jetë i suksesshëm”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës.

“Sipas mendimit tonë, dorëzimi i draft-statutit në Gjykatën Kushtetuese përpara mbledhjes së Komitetit të Ministrave do të ishte hap i tillë. Siç tha ambasadori Rohde në postimin e tij në Twitter pas votimit në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës: ‘Kosova tani duhet ta bëjë pjesën e rëndë’. Kjo ende nuk ka ndodhur”.

Ndryshe, ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, të enjten ka njoftuar se i ka dërguar një letër Presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ku zotohet që Qeveria do të përgatisë një draft për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe do ta dërgojë atë në Kushtetuese deri në fund të muajit maj.

Në letrën që e ka dërguar më 15 maj Këshillit të Evropës, Gërvalla ka potencuar se në Kushtetuese do ta dërgojnë një draft-statut të përgatitur nga vetë Qeveria dhe jo draft-statutin e Bashkimit Evropian, i cili iu prezantua palëve vitin e kaluar.

Sipas letrës së Gërvallës, Qeveria po punon në një draft-statut të frymëzuar nga ai i Fondacionit Friedrich Ebert (FES).

“Në përputhje me frymën e nenit 7 në lidhje me nenin 10 të Marrëveshjes Bazë, ne tashmë kemi filluar konsultimet me përfaqësuesit e pjesëtarëve të komunitetit serb për të marrë parasysh nevojat e tyre. Në këtë drejtim, Qeveria e Kosovës po përgatit një draftstatut për Asociacionin, të inspiruar nga FES-i që do të dërgohet në Kushtetuese deri në fund të majit 2024”, thuhet në letrën e ministres. /Albanianpost.com

Read Previous

Gjeloshaj: Mali i Zi i hapur për bizneset nga Kosova

Read Next

Hovenier për Escobarin: Ishte nder të punoja me të për t’i avancuar qëllimet e ShBA-së në dialog