LDK-ja ka thirrur mbledhje të Grupit Parlamentar pas letrës që kryetari i LVV-së, Albin Kurti, i ka dërguar kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, duke e ftuar për koalicion.
Këtë e ka konfirmuar deputeti Arben Gashi në një deklarim për gazetarë.
Ai ka thënë se shefja e grupit, Hykmete Bajrami, i ka ftuar në një takim. “Paska shkruar Hykmejta, ‘nëse jeni afër hajdeni në grup’, tani po shkoj”, ka thënë Gashi.
Deputeti i LDK-së ka thënë se personalisht mendon që partitë politike duhet të bisedojnë dhe se “edhe refuzimin duhet ta bëjnë në tavolinë”.
“Gabimet politike që i ka bërë Albin Kurti janë në vazhdimësi, janë të përsëritura, por në fund të fundit ne duhet të ulemi dhe të diskutojmë, qoftë edhe për të shkuar në zgjedhje … qoftë edhe për t’i thënë Kurtit ti i ke 48 deputetë, vazhdo ose tërhiqu nga mundësia e formimit të Qeverisë”, ka thënë Gashi.
“Diskutimi duhet të bëhet dhe të gjitha partitë politike duhet të jenë pjesë e diskutimit”, ka thënë ndër të tjera Gashi./21Media