LDK dorëzon në Kushtetuese lëndën për votimin e fshehtë

Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Hykmete Bajrami së bashku me deputetin, Armend Zemaj dhe anëtarin e Kryesisë Shkëmb Manaj, kanë dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, kërkesën për vlerësim të kushtetutshmërisë në lidhje me votimin e Komisionit për Votim të Fshehtë, në kuadër të vazhdimit të seancës konstituive të zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit, rrjedhimisht ndryshimin e rendit të ditës në kundërshtim me rendin e ditës së dakorduar në mes të të gjitha partive politike me kryetarin e Kuvendit të legjislaturës së kaluar.

Kjo u bë e ditur përmes një postimi në rrjetin social të faqes zyrtare të LDK-së, ku ndër të tjera thuhet se vendimi për adresimin e kësaj çështje në Gjykatën Kushtetuese është marrë pas vazhdimit të shkeljes së Kushtetutës nga kryesuesi i seancës edhe pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.

“Lidhja Demokratike e Kosovës beson se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, e ka qartësuar se përgjegjësia për konstituimin e Kuvendit i takon Grupit më të madh parlamentar dhe se votimi duhet të jetë në pajtim me Rregulloren e Punës së Kuvendit si dhe të praktikave të mëhershme parlamentare, rrjedhimisht votim i hapur për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Prandaj, me qëllim të zhbllokimit të ngërçit politik dhe institucional si dhe formimin e institucioneve të Kosovës, LDK dorëzon këtë kërkesë dhe i drejtohet Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në postim.

Tutje bëhet e ditur se LDK-ja është e vendosur të përdorë të gjitha mjetet kushtetuese e ligjore, për të garantuar funksionimin e shtetit si dhe mbrojtjen e interesit qytetar.

“Ne besojmë se Gjykata Kushtetuese do të trajtojë me përgjegjësi këtë kërkesë dhe do të sjellë vendimin në përputhje me Kushtetutën dhe vlerat themelore të Republikës së Kosovës”, thuhet ndër të tjera në postim. /Telegrafi/

Read Previous

Rasti i parë i murtajës së kafshëve në Kosovë konfirmohet në Prizren, vendosen masa kufizuese

Read Next

Një tjetër aktvendim i Komerciales i kërkon ZRrE-së pezullimin e vendimit për rrymën e bizneseve