Gazeta Sinjali ka raportuar më parë ekskluzivisht për një rast që ka ndodhur në qytetin e Gjakovës, ku një pronar i restorantit “Grand Antika” ka denoncuar një zyrtar policor për një rrethim ilegal të një parkingu.
Sinjali mëson ekskluzivisht se bëhet fjalë për zyrtarin policor, Besim Jasiqi.
Sinjali ka mësuar se në deklaratën e tij, në mes tjerash, Januzi ka akuzuar edhe Besim Jasiqin, zyrtar policor në Gjakovë, për “veprime të jashtëligjshme” në raport me dy parcela që përbëjnë parkingun e restorantit, të cilat janë objekt kontesti civil në Gjykatë.
Sipas tij, përkundër faktit se është në pritje të vendimit përfundimtar të Gjykatës për këtë çështje, më 31 maj 2025 rreth orës 06:00 në mëngjes, Jasiqi bashkë me disa persona të tjerë ka rrethuar këto parcela në mënyrë të dhunshme dhe provokuese.
Tutje, pronari i restorantit, Januzi ka thënë se ky veprim është përsëritur disa herë në javët e fundit dhe se ai bashkë me familjen janë nën presion të vazhdueshëm. Ai ka deklaruar se persona të afërt me Jasiqin, të cilët “kanë ndikim në sistemin e drejtësisë”, janë përfshirë në këtë situatë për ta detyruar të tërhiqet nga prona. “Kemi frikë se mos ndodh diçka më e rëndë nëse nuk ndërmerren masa”, thuhet në deklaratën e dhënë nga afaristi.
Në dokumentin e siguruar nga Sinjali, Januzi thekson se Gjykata Themelore në Gjakovë kishte konstatuar se palët duhet të njoftohen me vendimin për ndalim të veprimeve të mëtejme derisa të merret vendimi përfundimtar. Megjithatë, ai pretendon se pala tjetër nuk e ka respektuar këtë.
Përveç deklaratës, Sinjali ka siguruar edhe fotografi dhe prova të tjera, në të cilat shihet zyrtari policor, Besim Jasiqi duke bërë këtë rrethim, që sipas Bajram Januzit është i paligjshëm.
Lidhur me këtë situatë, Januzi ka kërkuar ndërhyrje të organeve të rendit për të shmangur përshkallëzimin e mëtejmë, i bindur se edhe më tutje prona duhet të mbetët pa ndërhyrje të askujt, meqë është duke u trajtuar si kontest pronësor.
Sinjali mëson se Januzi e ka denoncuar rastin edhe në Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK), duke kërkuar hetim për veprimet e zyrtarit policor Besim Jasiqi që, sipas tij, mori pjesë në rrethimin e jashtëligjshëm të pronës kontestuese./Sinjali
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.