Kuvendi sot mblidhet në seancë, në fokus vdekja e pacientes me kancer dhe çmimi i energjisë

Kuvendi i Kosovës do të mbajë sot seancë plenare, ku pritet të diskutohen mungesa e barnave onkologjike dhe çmimi i energjisë elektrike.

Në rend të ditës është interpelanca me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, lidhur me vdekjen e një pacienteje me kancer të gjirit, e cila kishte mbetur 4 muaj pa terapi, si dhe mungesën e barnave për trajtimin e pacientëve me sëmundje onkologjike.

Deputetët do të shqyrtojnë edhe mocionin përmbajtjesor për gjendjen në planifikimin, çmimin dhe furnizimin me energji elektrike në Kosovë.

Po ashtu, në seancë pritet të shqyrtohen disa projektligje për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.

Në mesin e tyre janë 3 marrëveshje me Mbretërinë e Suedisë, që kanë të bëjnë me ekstradimin, transferimin e personave të dënuar dhe ndihmën e ndërsjellë juridike në çështjet penale.

Në rend të ditës është edhe projektligji për ratifikimin e Traktatit për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike në Çështjet Penale ndërmjet Kosovës dhe Belgjikës.

Deputetët pritet të diskutojnë gjithashtu Propozim-Programin e Punës së Kuvendit për Sesionin Vjeshtor 2026.

Seanca plenare do të mbahet në sallën e Kuvendit të Kosovës, duke filluar nga ora 10:00. /KosovaPress/

Read Previous

Moti sot në Kosovë, temperaturat arrijnë deri në 19 gradë