Kuvendi miraton në parim projektligjin që lehtëson procedurat për gjykimin në mungesë

Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale, me 90 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim. Me këto ndryshime pritet të lehtësohen procedurat për gjykimin ne mungesë.

Projektligji për plotësimin dhe ndryshimi ne kodit të procedurës penale po procedohet në mënyrë të përshpejtuar.

Rrustemi: Gjykimi në mungesë për krimet e luftës është i domosdoshëm

“Gjykimi në mungesë për krimet e luftës në Kosovë është I domosdoshëm, është e kuptueshme që gjykimi në mungesë nuk shpaguan viktimat dhe nuk përmbush pritjet për drejtësi, sidoqoftë gjykimi i përgjegjësve për krimet e luftës në Kosovë, qoftë edhe në mungesë, është detyrim moral e institucional i shtetit të Kosovës, për të bërë atë çfarë ka mundësi të bëjë dhe për të reflektuar edhe formalisht përmes proceseve gjyqësore të vërtetën e krimeve të Serbisë në Kosovë”, tha kryetarit i Komisionit për Legjislacion, Adnan Rrustemi, derisa ka paraqitur propozimin e komisionit.

Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahri tha se gjykimi në mungesë duhet të vlejë edhe për vepra të tjera dhe jo vetëm në rastet e krimeve të luftës.

Tahiri: gjykimi në mungesë duhet të vlejë për të gjitha veprat

“Pra gjykimi në mungesë duhet të vlejë edhe për vepra të tjera që për rendin tonë, për sundimin e ligjit janë jashtëzakonisht të rëndësishme. Po ia përkujtoj kryeministrit Kurti që e tha më herët që do të kërkojnë që policët të cilët i kanë kryer krimet ndaj dy qytetarëve të Republikës së Kosovës në vitin 2007 të gjykohen dhe dënohen në mungesë, dhe unë po i tregoj që me këtë propozim që e ka bërë ministrja e drejtësisë pjesë e qeverisë së tij nuk mund të ndodh një gjë e tillë. Prandaj, ose nuk jeni koordinuar ose nuk po dini çka po propozoni, andaj po i’u them edhe njëherë sillni kodin e procedurës penale të cilin ua kemi lënë gati, nuk ka nevojë me zvarritë”, tha Tahiri.

Ai ka thënë se kodi i procedurës penale i miratuar në lexim të parë në vitin 2019, koha kur Tahiri ishte ministër i Drejtësisë, dhe i kthyer pastaj pas dorëheqjes së kryeministrit Haradinaj, duhet të vihet në Kuvend për votim dhe i njëjti do të mundësojë gjykimin në mungesë edhe për veprat të tjera.

Lidhur me këtë, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se me kodin procedurës penale që sipas saj do të vijë në Kuvend brenda dy muajsh, do të lejohet gjykimi në mungesë për të gjitha veprat penale.

Haxhiu: Kodi i procedurës penale do të vijë në Kuvend brenda dy muajsh

“Aktualisht ky ndryshim ka bëjë më gjykimin në mungesë për krimet e luftës, në kodin e procedurës penale që do të vijë në Kuvend gjatë këtij viti e unë thash më herët brenda dy muajsh, do të lejohet gjykimi në mungesë për të gjitha veprat penale përfshirë edhe për krimet e luftës, dhe kjo është në përputhje të plotë edhe me rekomandimet e komisionit të Venecias sepse komisioni i Venecias ka thënë që mjafton personi të dijë që po kërkohet nga institucionet e sigurisë apo gjyqësisë”, tha Haxhiu.

Në diskutimin e deputetëve rreth kësaj teme, deputeti I LDK-së Driton Selmanaj ka përmendur edhe rastin e kryeministrit Kurti, ministres së Drejtësisë dhe ministrit të Mjedisit, lidhur me aktakuzat që janë ndaj tyre.

Selmanaj: Kryeministri dhe ministrat janë me aktakuza

“Janë ndër parimet themelore të demokracisë dhe vendet demokratike kur personat me aktakuzë të lirojnë detyrat, unë ju kuptoj juve ministër sepse jeni vet e përfshirë në rast të tillë keni aktakuzë, e çka është edhe më e keqja ne kryeministrin e kemi me aktgjykim dënues, kryeministri ne vendit e kemi, dhe zoti Kurti në promovimin e kësaj qeveri pati thënë që ministrja e Ekonomisë dhe financave nuk mund të flas shumë për ekonominë si ka ndodhur 20 vjet sepse atë qasje e gjeni vetëm në librat e kriminalistikës, unë po i them kryeministrit të vendit që në librat e kriminalistikës gjeni edhe diçka tjetër që shkruan aty, kushdo që kryen vepër penale është kriminel”, tha Selmanaj.

Pas miratimit në lexim të parë, kërkohet nga komisioni funksional dhe komisionet e përhershme të shqyrtojnë projektligjin dhe Kuvendit t’ia paraqesin raportin me rekomandime.

Read Previous

​Haxhiu: Gjykimi i krimeve të luftës së bashku me luftimin e korrupsionit dhe procesin e vettingut

Read Next

Haradinaj Qeverisë: Hapni sallat e dasmave, hiqeni orën policore