Seanca e sotme e Kuvendit të Kosovës ka nisur me një minutë heshtje nga deputetët për të nderuar dëshmorët me rastin e 5 majit, Ditës së Dëshmorëve të Kombit.
“Kjo seancë po konsiston me Ditën e Dëshmorëve. Ndaj propozoj që së bashku si deputetë të Kuvendit, të gjithë dëshmorët t’i nderojmë me një minutë heshtje”, u shpreh kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, në fillim të seancës.
Më 5 maj shënohet Dita e Dëshmorëve të Kombit që kanë dhënë jetën e tyre për liri, të drejtat e njeriut dhe dinjitetin e çdo shqiptari.
Dita e Dëshmorëve e ka origjinën në 5 maj 1942, kur u vra Qemal Stafa, i cili me veprimtarinë e tij u kthye në simbol të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Në nderim të kujtimit të të rënëve për lirinë e vendit çdo vit në Varrezat e Dëshmorëve kryhen homazhe nga krerët më të lartë të shtetit shqiptar.
Në vitet ´60-të statusi i dëshmorit përpunohet më tej dhe zgjerohet, duke specifikuar termin ”Dëshmor i Atdheut”. Në këtë ligj futen edhe Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut, të cilat u ndërtuan në të gjitha qendrat e rretheve të vendit.
U ndërtuan edhe Varrezat e Dëshmoreve të Atdheut në Tiranë me monumentin “Nënë Shqipëri”. Më 24 prill të vitit 2000, pas shumë përpjekjeve u miratua ligji Nr. 8607 për “Statusin e Dëshmorit të Atdheut”, në të cilin përfshihen dëshmorët e të gjitha periudhave historike dhe të rënët në vitet 1997-1999, në Luftën Çlirimtare të Kosovës, të UÇPMB dhe Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. /Telegrafi/