Guxo dhe Alternativa kanë akuzuar PDK-në, LDK-në dhe AAK-në se “në bashkëpunim me Listën Serbe po bllokojnë konstituimin e Kuvendit të Kosovës”.
Pas dështimit të nëntë për zgjedhjen e trupave të legjislativit, partnerët e Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e 9 shkurtit, thanë se për konstituimin e Kuvendit nuk bëhen marrëveshjet politike.
Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, tha se dështimi i seancës së sotme, ku u tentua të ndryshohet forma e votimit të zgjedhjes së kryeparlamentarit, tha se votim i fshehtë nuk është në kundërshtim me Kushtetutën dhe as Rregulloren e Kuvendit.
Sipas saj, PDK, LDK dhe AAK nuk e kanë hall funksionalizimin e Kuvendit, mirëpo pamundësinë e tyre që ta bëjnë qeverinë.
“Janë të qarta dy argumente të forta. E para që dy partitë e opozitës në asnjë formë apo mënyrë nuk po kërkojnë zgjidhje dhe po dëshirojnë të mbajnë këtë bllokadë. E dyta që koalicioni i tyre, apo marrëveshja mes PDK-së, LDK-së, AAK-së dhe Listës Serbe është ende funksional. Në formën e prezantimit të argumenteve se kinse kryesuesi i seancës s’ka të drejt të ndryshojë formën e prezantimit të argumenteve se kinse kryesuesi s’ka të drejt të ndryshojë formën e votimit. Në asnjë argumentim nuk u përmend neni i Kushtetutës apo rregullores që parandalon votimi ne fshehtë. Votimi i fshehtë parashihet sidomos në udhëzimin e Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese. Duhet të tregojnë shumë qartë se ku e kanë hallin. Diku një hall më i madh është sesa funksionalizimi i Kuvendit. Duket se halli i tyre është se nuk janë votat për qeverinë që pretendojnë ta bëjnë apo duket se çdo gjë duan që çdo gjë ta bëjnë çështje të pazarit politik. Pazar politik nuk bëhet për çështje të konstituimit të Kuvendit”, tha ajo.
Ndërkaq, kryetari i Guxo, Faton Peci, tha se marrëveshja politike është e nevojshme për formimin e qeverisë së re, vetëm pas konstituimit të Kuvendit.
“Konstituimi i Kuvendit nuk është çështja e kompromisit ose një marrëveshje politike. Marrëveshja politike do të vjen atëherë kur të kemi kuvendin e konstituaur. Në funksion të saj ne jemi të vetëdijshëm për numrat, por të gjitha ta që dëshirojnë që koalicioni, LVV, Guxo dhe Alternativa të mos qeverisë me vendin dhe që janë partitë aktuale opozitare le të krijojnë këtë mundësi duke mundësuar votimin e kryetarit të Kuvendit dhe nënkryetarëve. Edhe sot u shpërfaq se ekziston një koalicion që edhe gjatë fushatës zgjedhore e kam parashikuar i ashtuquajturi koalicioni PLAS. PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe. Ekziston ky koalicion, ka vështirësi për me projektu veten si mandatar të qeverisë së ardhshme, por megjithatë u shpërfaq në këtë seancë”, tha ai.
Ndërkaq, e pyetur pse tani po tentojnë të ndryshojnë formën e votimit të kryetarit të Kuvendit, pas dështimit gjashtë herë radhazi për të zgjedhur Albulena Haxhiun si kryeparlamentare, ajo tha se votimi i fshehtë është forma për të parë se a është vullnet i të gjithë deputetë për të qëndruar në këtë bllokadë politike.
“Kjo do të ishte forma më e mirë që të shohim a është vullneti i të gjithëve për të qëndruar në këtë situatë apo ka ndonjë bindje tjetër. Ata janë kundër me frikën e tyre se mund t’iu ndodh diçka që nuk e kanë në kontroll. Nëse janë të bindur e kandidatja e LVV-së nuk kalon pse nuk e votuan ose pse janë të bindur se është shkelje kushtetuese pse nuk qëndruan në sallë. Mënyra më e mirë për të verifikuar është të shkojmë në votim. Nëse votimi është i njëjtë atëherë e dina por nëse del votimi ndryshe atëherë e shohim pse është mbajtur ky bllokim”, tha ajo.
Në anën tjetër, kryetari i Guxo, Faton Peci, polemizoi sërish me ish deputetin e LDK-së, Gani Geci, për të cilin gjatë ditës tha se ka treguar papjekuri politike me publikimin e mesazheve dhe komunikimeve politike me eksponentë të Lëvizjes Vetëvendosje.
“Krejt qytetarët që dërgojnë ankesa për çështje të uzurpimeve dhe çfarëdo lloji që vlerësohet se nuk është në interes publik unë e adresoj. Por kjo nuk do të thotë se unë mund të jap llogari një personi fizik. Unë i kam drejtuar me shumë respekt familjes Geci, kam deklaruar se kam vlerësim dhe konsideratë për familjen e tyre dhe angazhimin e tyre në rrethana të vështira, ndërsa ai ishte adresuar me një ofendim dhe le të mbetët në domenin e gjithë secilit sesi vendos dhe çfarë fjalori përzgjedh”, tha ai. /KosovaPress/