332 raste të reja me kancer të gjirit te gratë dhe katër raste të burrat janë regjistruar këtë vit në Kosovë, teksa ky numër mund të rritet deri në fund të këtij viti.
Kështu ka thënë, drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishi.
Ai tha se numri i rasteve që i trajton Klinika e Onkologjisë, kalon shifrën e 500 personave në ditë. Në një intervistë për Ekonomia Online, Kurtishi ka thënë se në tri vjetët e fundit ka një rritje të rasteve të reja prej 10 për qind, në secilin vit krahasuar me vitet paraprake.
Ndonëse rastet e shënuara në Kosovë janë më pak se vendet e rajonit, Kurtishi sheh rrezik se mund t’i afrohen këtyre vende.
“Kemi identifikuar dhe regjistruar në Klinikën tonë rreth 332 raste të reja të kancerit të gjirit te femrat dhe katër te meshkujt, ndërkaq krahasuar me vitin e kaluar është afër 10 për qind më shumë se nëntëmujori i parë i vitit të kaluar dhe deri në fund të vitit ky numër mund të kalojë shifrën mbi 420”, ka thënë Kurtishi.
Ai tha se gratë e moshave 55 deri në 59 vjeç janë më të prekurat, sipas statistikave.
Ai foli edhe për numrin e pacientëve që trajtohen në këtë klinikë. Aktualisht, Klinika e Onkologjisë i trajton deri në 500 persona në ditë, duke tejkaluar edhe Klinikën Emergjente në QKUK.
“Brenda një dite të zakonshme të punës ne në shërbimin e kimioterapisë ofrojmë shërbime për mbi 250 deri në 300 pacientë, pra në format të ndryshme të mjekimit, kryekëput është mjekim ambulator me kimioterapi dhe me forma të ndryshme të dhënies së këtyre ilaçeve. Në të njëjtën kohë në shërbimin e radioterapisë rrezatojmë brenda një dite kemi mbërri numër maksimal me rreth 160 pacientë në dy aparatet i rrezatojmë dhe në të njëjtën kohë shërbimin brakiterapisë. Pra, Klinika brenda 24 orëve mund të trajtojë nga 450 deri në 500 persona që i bie të jetë klinika më e frekuentuar dhe me ngarkesën më të madhe se të gjitha klinikat në QKUK. Pra kryen kontrolle dhe trajtime më shumë se sa që bën edhe Klinika Emergjente në QKUK”, u shpreh tutje ai.
Ndonëse jo në mase të madhe edhe Onkologjia është prekur nga migrimi i stafit, ka thënë Kurtishi./Koha.net/