Kryeministri Albin Kurti, është shprehur se vrima nga e cila rridhte buxheti i qeverisjes, tani po mbyllet përgjithmonë.
Kështu u shpreh kreu i VV-së në mbledhjen e 55-të të këshillit të përgjithshëm të saj.
Po ashtu, ndër të tjera Kurti përmendi të arriturat në fushën e energjisë elektrike, në katërvjetorin e udhëheqjes së tij në krye të qeverisë.
“Në këtë gjashtëmujor të parë filloi edhe regjistrimi i energjisë elektrike në katër komunat në veri të Kosovës, dhe inkasimi për konsum të energjisë. Në fushën e energjisë patëm hapa të rëndësishëm, sa janë edhe historike. Më në fund, e pas një kohe shumë të gjatë, me dekada e jo me vite e muaj, vrima prej të cilës rridhte pa ndërprerë e pa masë paraja e buxhetit tonë, po mbyllet njëherë e përgjithmonë”, tha Kurti.
Kurti tregon arsyet pse nuk duhet lëshuar Kosovën
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se ekzistojnë disa arsye që qytetarët e Kosovës të mos largohen nga Kosova por edhe për të kthehen në atdhe.
Në një fjalim në mbledhjen e 55-të të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje të dielën, Kurti ka thënë se Kosova ka qeverisje të mirë.
“Tash kemi rritje ekonomike dhe stabilitet institucional, progres shoqëror me qeverisje të mirë, sundim të ligjit e shtrirje të sovranitetit, lëvizje të lirë e pa viza për shumë vende. Këto janë arsye jo vetëm për të qëndruar në Kosovë, por edhe për tu kthyer në atdhe”, tha Kurti.
Ai ka folur edhe për regjistrimin e mërgatës dhe u ka bërë thirrje atyre që të vazhdojnë ta bëjnë këtë.
“Regjistrimi online i mërgatës po vazhdon. Ai është i hapur deri në fund të muajit gusht e edhe nga këtu sot u bëj thirrje të gjithë bashkatdhetarëve tonë të dashur që patjetër të regjistrohen ata të cilët tashmë nuk e kanë bërë këtë gjë dhe jo vetëm kaq”, tha kryeministri./21Media