Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, priti në takim ambasadorin e ri të Italisë në Kosovë, Maurizio Antonini. Në këtë takim të parë, ai e uroi ambasadorin për detyrën e re, teksa vlerësoi lartë kontributin e vazhdueshëm të Italisë për vendin tone, raporton KosovaPress.
Siç njofton Zyra e Kryeministrit, gjatë bisedës u nënvizua partneriteti i fortë ndërmjet dy vendeve, veçanërisht roli i rëndësishëm i Italisë në mbështetjen e paqes dhe sigurisë përmes kontributit të saj në misionin e NATO-s, KFOR.
“U diskutua gjithashtu për nevojën dhe mundësitë për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit bilateral, me fokus në fushën e ekonomisë, sigurisë e mbrojtjes dhe shkëmbimeve kulturore”, thuhet në njoftim, transmeton KosovaPress.
Kurti shprehu mirënjohjen për mbështetjen e Italisë në integrimin euroatlantik të Republikës së Kosovës./kp