Kurti: Rritje prej 20% e pensioneve për veteranët e luftës, nga janari 2025

Qeveria e Kosovës ka marr vendim që nga muaji tetor t’i rris pensionet për 20 për qind për disa kategori të pensionistëve, e nga muaji janar i vitit 2025 pensionet për 20% do të rriten edhe për personat që përfshihen në Ligjin për Kategoritë e luftës.

Kështu ka bërë të ditur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një konferencë për media ku shtoi se në muajin e ardhshëm Qeveria e Kosovës do ta votoj edhe buxhetin për vitin 2025.

“Duke filluar nga ky muaj 2024 do të rrisim për 20 për qind të gjitha pensionet si vijon, pensioni bazik i moshës, pensioni kontributpagues i plotë dhe parcial, pension i aftësisë së kufizuar për fëmijë dhe për të rritur, pensioni për personat e verbër, pensioni për personat paraplegjik dhe tetraplegjik, pensioni familjar, pensioni invalidor i punës dhe pensioni i parakohshëm për punëtorët e Trepçës. Nga muaji janar i viti 2025 pra për më pak se 3 muaj do të rritet për 20% pensionet e përcaktuara me ligjin për kategoritë e luftës përkatësisht familjet e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të UÇK-së viktimave të dhunës seksuale të luftës, viktimave civile dhe familjeve të tyre . Kjo për arsye se për ndryshimin e këtyre pensioneve duhet të ndryshohet edhe tabela që është pjesë e ligjit si shtojcë“, tha ai.

Kreu i ekzekutivit kosovar tregoi se me ndryshimet që duhet të bëhen në tabelat që janë pjesë e ligjit për kategoritë e luftës familjet e dëshmorëve të UÇK-së dhe të zhdukurve të UÇK-së që kanë më shumë se 1 dëshmorë apo të zhdukur do të ndryshohet edhe forma e pensionit duke e rritur për 50% të pensionit bazë.

“Tek këto kategori për familjet e dëshmorëve të UÇK-së dhe të zhdukurve të UÇK-së që kanë më shumë se 1 dëshmorë apo të zhdukur do të ndryshohet edhe forma e pensionit duke e rritur për 50% të pensionit bazë për çdo dëshmorë apo të zhdukur që ka familja e jo të rritet me nga 20 apo 10% siç ka qenë deri më tani. E njëjta formulë do të përdoret edhe për familjet e viktimave të dhunës dhe të zhdukurve civil ku për çdo të zhdukur që ka familja pensioni do të rritet për 50 për qind të pensionit bazë“, tha ai.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekruan Murati, tha se kjo rritja e pensioneve parashihet të jetë në shumën e 100 milionë euro shtesë për tërë vitin fiskal.

“Ky ndryshim duhet të kemi parasysh prek një numër prej 304 mijë e 16 përfitues që do të ndikohen nga ky rritje. Impakti i tërësishëm buxhetor për tërë vitin fiskal parashihet të jetë në shumën 100 milionë euro shtesë. Duhet të kemi parasysh se tërësia e këtyre skemave pensionale sillet diku rreth 500 milionë euro dhe kjo rritje parashihet edhe 100 milionë euro shtesë. Falë politikave të mirë menduara përgjatë viteve të fundit dhe rritjes së të hyrave që na kanë mundësi zgjerimin e hapësirës fiskale e kemi pasur të ndërmarrim këtë veprim. Çdo herë duke pasur parasysh se jemi në program me FMN-në, megjithatë falë pjekurisë dhe maturisë të politikave fiskale kemi arrit të bindim se ky është veprim i duhur dhe të shkojmë me një kapërcim 20 për qind”, tha ai.

I pyetur nëse do të ketë rritje të pagave për mësimdhënësit dhe policët e Kosovë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se pagat në sektorin publik janë rritur vitin e kaluar, ndërsa shtoi se mandatin e ardhshëm do të ta bëjnë reformën pensionale.

Kurti theksoi se kjo rritje po bëhet këtë muaj pasi janë duke shkruar edhe buxhetin për vitin 2025, i cili muajin e ardhshëm do të votohet nga Qeveria e Kosovës.

“Kemi pasur pa numër masa të ndryshme që i kanë ndihmuar kategoritë e ndryshme shoqërore, me ç’rast duhet theksuar se pagat në sektorin publik janë rritur në vitin e kaluar. Në mandatin tjetër ne do ta bëjmë reformën pensionale vjet janë rritur në sektorin publik dhe kemi pasur një rritje të ndjeshme të paprecendet në Kosovën në këto vitet e fundit andaj tash jemi të përqendruar tek rritja e pensioneve… këtë po e bëjmë tash në muajin tetor meqenëse në të njëjtën kohë jemi duke e shkruar buxhetin për vitin 2025 që do të votohet në këtë muaj në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës. Pra rritja e këtyre pensioneve është duke u bërë në kuadër të planifikimeve tona afatmesme dhe afatgjata. Përpara në rastin më të mirë ka pasur planifikime afatshkurta dhe ky është momenti ku ne marrim vendimin për rritjen e këtyre pensioneve”, theksoi Kurti.

E ministri i Financave, Hekuran Murati teksa ka folur për Kontratën Kolektive për çka tha se janë bërë në mënyrë të kundërligjshme, theksoi se si qeveria kanë ofruar ndihmë por komunat, por sipas nuk e kanë shfrytëzuar këtë mundësi.

“Buxhetimi për kontrata kolektive duhet të bëhet para se ato të nënshkruhen, ky është procesi ligjor që duhet ta ndjek secila kontratë kolektive në rastin në fjalë që kemi disa komuna që janë shfaqur kemi të bëjmë me kontrata kolektive që janë nënshkruar paligjshëm dhe pa autorizimet e nevojshme dhe pa kaluar nëpër procedurat e nevojshme buxhetore. Kemi pas kontrata kolektive të nënshkruara në kohë fushate pa kurrfarë mbulese financiare nga ministrat e arsimit por edhe paraprakë. Prandaj, është problematike që posfestum që pasi të ketë ndodh një shkelje e ligjit që ka ndodhur atëherë të tentohet përmes buxhetit apo përmes ligjit për ndarje buxhetore më pastaj të legjitimohet…Nuk ka pasur komuna që e kanë shfrytëzuar këtë mundësi për më tepër ka pasur problematika që gjatë përmbarimit prej disa prej lëndëve komunat gabimisht e qëllimisht ndoshta kanë orientuar përmbaruesit pra ekzekutimin e këtyre përmbarimeve të bëhet të bëhet në kategorinë pagat në sektorin e arsimit duke e ditur se buxheti aty ka qenë i planifikuar për 12 muaj paga”, tha ai. /KosovaPress/

Read Previous

Inteligjenca ushtarake ukrainase shkatërron sistemin kundërajrore rus

Read Next

Publikohet lista e përfituesve të skemës ‘Mësimdhënia e bazuar në punë hulumtuese’