Kryeministri Albin Kurti ka thënë se pagat në Kosovë do të rriten, por nuk do të ndjekin rritjen ekonomike, e cila sipas tij vitin 2021 ka qenë 9.9 për qind.
Para deputetëve, Kurti tha pagat do të ndjekin rritjet e produktivitetit brenda rritjes ekonomike.
Kurti: Pagat do të rriten, por ato nuk ndjekin automatikisht rritjen ekonomike
“Gjatë këtyre 11 muajve kemi shënuar rezultate të mira në ekonomi, BQK ka konstatuar rritje ekonomike prej 9.9 përqind. Pra BQK-ja e cila edhe më tej e ka menaxhmentin e mëhershëm ka thënë se në Kosovë rritja është 9.9 përqind që është e pashembullt, jo vetëm në Ballkanin Perëndimor… Pagat në Kosovë duhet të rriten dhe do të rriten. Por ato nuk mund të ndjekin automatikisht rritjen ekonomike. Pagat e ndjekin rritjen e produktivitetit brenda rritjes ekonomike. Në anën tjetër pagat mund të ndjekin afër rritjen ekonomike në rritjen e tyre vetëm atëherë kur kemi papunësi të ulët”, tha ai.
Kreu qeveritar foli edhe për migrimin e të rinjve, ku tha se numri më i madh i atyre që po e lëshojnë Kosovën është se nuk po gjejnë punë në profesionin e tyre.
Kurti: Ata që po e lëshojnë Kosovën është se nuk gjejnë punë në profesionin e tyre
“Përveç papunësisë që është problem i madh në Kosovë është shumë problem i madh edhe pamundësia e punësimit në profesion. Një numër i konsiderueshëm i të rinjve tanë që po migrojnë nuk është që po migrojnë se s’kanë vend pune, por s’kanë vend pune në profesionin e tyre. Pasi kur të mbarosh fakultetin juridik ose ekonomik nuk mund të punosh kamerierë gjithë jetën. Ajo çka është themelore që ne të bëjmë si reformë të përbashkët është kjo lidhja e tregut të punës dhe arsimimin profesional. Numri më i madh i atyre që po e lëshojnë Kosovën është se nuk gjejnë punë në profesionin e tyre”, tha ai.
Në foltoren e Kuvendit, Kurti shprehu mbështetjen edhe për pavarësinë dhe sovranitetin territorial të Ukrainës.
Kurti: Kosova mbështet sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të Ukrainës
“Republika e Kosovës, Qeveria e Kosovës padyshim që mbështet sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të Ukrainës dhe sigurisë deri më tani dhe në vijim ne do të jemi përherë të bashkërenduar me Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-n”, tha ai.
Duke i reaguar kryeministrit Kurti, shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri tha paga minimale duhet të nis nga 400 euro.
/KosovaPress/