Kurti: Historia e Skënderbeut na inspiron për liri e për shtet

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar 581-vjetorin e Kuvendit të Lezhës, një ngjarje që shënoi një moment të rëndësishëm në historinë politike dhe ushtarake të shqiptarëve. Ai ka theksuar rëndësinë e këtij kuvendi, i cili përbashkoi fisnikët arbër nga dinastitë më të njohura të kohës kundër ekspansionizmit osman.

Kryeministri Kurti ka nderuar gjithashtu trashëgimisë historike – politike e ushtarake – të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, duke e cilësuar burim të vazhdueshëm frymëzimi për shqiptarët. Në përvjetorin e 581-të, ai ka nënvizuar se historia e Skënderbeut është një shembull i jashtëzakonshëm i guximit, maturisë, strategjisë dhe patriotizmit.

“Si gjatë shekullit XIX, kur rilindasit po e konceptonin dhe sendërtonin kombin shqiptar sipas modeleve moderne evropiane, ashtu edhe gjatë gjithë shekullit XX deri te lufta për çlirimin e Kosovës, sytë e shqiptarëve janë kthyer gjithmonë kah figura e lavdishme e Skënderbeut, Zotit të Arbërisë”, ka shkruar kryeministri Kurti.

“Andaj edhe sot, historia e Skënderbeut na inspiron me universalitetin e saj në të menduar e në të vepruar, në guxim e në maturi, në strategji dhe në patriotizëm. Për liri dhe për shtet, për aleanca të fuqishme dhe për progres historik”, ka shtuar ai.

Kuvendi i Lezhës është mbajtur më 2 mars 1444 në Lezhë. Ky kuvend përfaqësoi bashkimin e disa prej familjeve dhe dinastive më të njohura të kohës – Arianiti, Topia, Dukagjini, Kastrioti, Zaharia, Spani, Gjurashi, dhe të tjera – me qëllimin e përbashkët të formimit të një aleance ushtarake kundër kërcënimit të Perandorisë Osmane./Albanianpost.com

Read Previous

Paraqitja e Xhakës vlerësohet brilante

Read Next

Paralajmërimi i admiralit amerikan: Fundi i NATO nuk është larg