Kurti e prezanton buxhetin për vitin 2023: Jemi në pozitë të favorshme

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në Kuvendin e Kosovës e ka prezantuar projekt-buxhetin për vitin 2023.

Kurti ka thënë para deputetëve se në këtë vit, Kosova është në situatë të favorshme ekonomike. Kurti bëri të ditur se buxheti do të jetë 3 miliardë e 212 milionë euro.

Pjesë nga fjalimi i Kurtit:

Ky vit megjithë sfidat dhe krizën globale vazhdoi trendin pozitiv, dhe na mundësoi të kemi konsolidim të financave publike. Sias vlerësimeve të FMN-së, Kosova është nga vendet e para me ekonomi në zhvillim që ka arritur sukses të tillë e që është referencë e FMN-së për shtetet e tjera për financat publike. Kjo na vë në pozitë të favorshme për sfidat që na presin vitin tjetër. Buxheti do të jetë 3 miliardë e 212 milionë euro.

Kemi ndarë 745 milionë euro paga e mëditje, 400 milionë euro mallra e shërbime, 1 miliardë euro subvencione e transfere, 811 milionë euro në shpenzime kapitale. Për projekte specifike ato refletkojnë programin tonë qeverisës. Kemi shtuar 240 pozita të reja për inspektoriate, më shumë inspektorë të punës, më shumë inspektorë në shëndetësi, më shumë inspektorë të tregut që të sigurohet mbrojtja e konsumatorit.

296 milionë euro për shëndetësi, më së shumti nga shpallja e pavarësisë. 60 milionë euro për barna esenciale. Rëndësi i kemi kushtuar edhe ndërtimit të infrastrukturës shëndetësore, rritjen e buxhetit e kemi shoqëruar me numrin e stafit. Në linjë me premtimin tonë për zhvillimin e hershëm të fëmijëve, kemi vazhduar planet për ndërtimin e çerdheve.

Kemi vazhduar mbështetjen për bujqit e fermerët. Për vitin 2023 buxheti është 83 milionë euro për herën e parë. Mbështetja në sektorin e sigurisë dhe mbrojtjes është e rëndësishme. Kemi shtuar 300 pozita për polici, dhe kemi shtuar buxhetin për blerje të armatimit. 123 milionë euro parashihet buxheti për ministrinë e mbrojtjes. Buxheti është dyfish më i lartë se buxheti që kemi treguar në vitin 2021, nga 67 milionë në 123 milionë.

Shtesat për lehona e fëmijë i filluam në kohë. Kemi buxhetuar për rrugë, dhe kemi shtuar buxhet për nisjen e rrugës Prishtinë-Pejë dhe nisjen e rrugës Prizren-Tetovë. Do të vazhdojmë mbështetjen e ndërmarrjeve publike në rikthimin e tyre në fitimprurëse, ashtu që të bëhen kontribuuese në zhvillim ekonomik.

Për rezerva shtetërore kemi ndarë 15 milionë euro shtesë. Me mbështetjen e BE-së do t’i kemi edhe 75 milionë euro për mbështetjen e qytetarëve për krizën energjetike. Në politikën e jashtëm fokusi do të jetë në diplomaci publike, ekonomike dhe mërgatë.

Bashkërisht do të duhej që me realizimin e programit qeverisës, ta lehtësojmë jetën e qytetarëve, ta rrisim punësimin. E dimë situatën e rëndë ekonomike që është shkaktuar nga lufta në Ukrainë, ky buxhet është menduar t’iu vihet tërësisht në ndihmë juve. Me të vazhdojmë realizimin e zotimeve tona, ku garuam në zgjedhje më 14 shkurt.

/GazetaSinjali/

Read Previous

Kush janë njerëzit e 5, 6, 7 dhe 8 miliardë në Tokë?

Read Next

​Shitjet e makinave në BE u rritën fuqishëm në tetor