Kurti e Osmani kujtojnë Ilir Konushevcin dhe Hazir Malajn

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti në 26 vjetorin e rënies së Ilir Konushevcit dhe Hazir Malaj kanë nderuar veprimtarinë e tyre kushtuar Kosovës duke i kujtuar si “humbje të rënda” si për Kosovën ashtu edhe për Ushtrinë Çlirimtare.

Përmes një komunikate të lëshuar nga Zyra e Presidencës është thënë se sakrifica për lirinë u bë nga Konushevci dhe Malaj, prandaj lirinë ua kemi borxh.

“Falë atij dhe bashkëluftëtarëve, ne jemi të lirë, ndaj drejtësia për të është domosdoshmëri dhe respekt për sakrificën sublime”.

Ndërsa, është theksuar se besnikëria dhe ndershmëria ishin virtytet e tyre, prandaj kujtimi për ta do të jetë i përhershëm.

“Ilir Konushevci me veprimtarinë unike për kauzën e luftës çlirimtare është ndër figurat më të rëndësishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si njëri ndër themeluesit dhe udhëheqësit e sektorit të logjistikës”.

“Vrasja e tij së bashku me mjekun Hazir Mala në pritë të organizuar, ishin humbje e rëndë për  UÇK-në, pikërisht në kohën e organizimit dhe shtrirjes së madhe të saj”, thuhet në komunikatë.

Kurse, kryeministri i Kosovës Albin Kurti së bashku me një pjesë të kabinetit kanë bërë homazhe pranë varrezave të dëshmorëve Konushevci dhe Malaj.

Kurti, në fjalimin e tij para gazetarëve ka thënë se pushkët të cilat i mbante UÇK-ja ishin të Ilir Konushevcit.

“Pushkët që i mbanin ushtarët e UÇK-së ishin pushkët e Ilirit, andaj kontributi i tij është i paçmueshëm sepse është i pamatshëm. Bashkë me doktor Hazir Malën, komandanti Ilir Konushevci është emër i artë në historinë moderne të Kosovës e cila është në themel të shtetit tonë dhe të lirisë sonë si popull”.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti.

Sipas tij, barra që mbante Konushevci ishte e dyfishtë.

“Në njërën anë ai duhej që ta pasonte udhëheqjen e Zahir Pajazitit, komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i cili ra heroikisht në janar të vitit 1997, ndërkaq në anën tjetër duhej sa më shpesh, sa më tepër i ngarkuar të sillte armatim nga Shqipëria në Kosovë”, tha Kurti para gazetarëve.

Më 13 maj 1992, Ilir Konushevci si 23 vjeçar, së bashku me shokët Rexhep Uka, Selim Haziri, Naim Hyseni, Lulëzim Podvorica, Naim Haziri, Bejtush Llugaliu dhe Shaip Haziri, themelojnë grupin ilegal apolitik me emrin “Shqiponjat“, i cili do të organizohej për t’iu kundërvënë secilit që drejtpërsëdrejti rrezikonte pasurinë dhe gjërat e njerëzve në Kosovë, por duke mos lënë anash as strategjinë luftarake.

Vrasja e Ilirit shkaktoi një humbje të madhe për tërë vendin e në veçanti për UÇK-në dhe shtabin e saj qendror.

Konushevci në radhët e UÇK-së shkroi rreshta të pashlyer në historinë tonë kombëtare, ishte ndër themeluesit e UÇK-së në Llap dhe njëri ndër themeluesit dhe mbështetësit e sektorit të logjistikës për UÇK-në. /Albanianpost.com

Read Previous

Humbja ndaj Real Madridit, Tuchel: Gjyqtarët fajtorë, mendoj se ishte një fatkeqësi absolute

Read Next

REL: Kosova s’është në agjendën e Komitetit të Ministrave të KiE-së