Kurti e Çobaj flasin për bashkëpunimin mes Kosovës dhe Malit të Zi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me të ngarkuarin me punë të Ambasadës së Malit të Zi në Prishtinë, Bernard Ҫobaj, me të cilin ka biseduar për marrëdhëniet mes dy shteteve dhe Samitin e Liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian që do të mbahet në Kotor të Malit të Zi më 16 maj.

“Krahas diskutimit rreth bashkëpunimit dhe marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, kryeministri Kurti dhe Ҫobaj biseduan edhe për përgatitjet në prag të Samitit të Liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian, që do të mbahet 16 maj në Kotor të Malit të Zi, nën organizimin e Qeverisë së Malit të Zi”, thuhet në njoftim.

Ky samit, i organizuar nën sloganin “Një rajon, vizion i përbashkët”, do të shërbejë si platformë për të diskutuar Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor, me synim të përshpejtojë zhvillimin ekonomik dhe integrimin rajonal.

Pjesë e këtij samiti do të jetë edhe ndihmëssekretari Amerikan i Shtetit për Evropë dhe Euroazi, James O’Brien. Lajmi është kumtuar përmes një komunikate të lëshuar nga Qeveria e Malit të Zi.

“Samiti i liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian do të mbahet të enjten më 16 maj në Kotorr, gjatë të cilit liderët e vendeve të rajonit, përfaqësues të Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerika do të diskutojnë Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor”, thuhet në komunikatë./Albanianpost.com

Read Previous

Policia e Shqipërisë i ofron 30.000 euro shpërblim për kapjen e 23-vjeçarit që vrau policin

Read Next

Michael Cohen, ish-avokati i Trump pritet të dëshmojë kundër ish-presidentit në gjyq