Kryeministri Albin Kurti ka folur për audio-incizimin e radhës që u publikua, e ku protagoniste është shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, me kriminelin Milan Radoiçiq.
Në një konferencë për media, Kurti tha se nuk e ka parë e dëgjuar, por pretendoi që lufta hibride ndaj Qeverisë do të intensifikohet.
“Në këto momente nuk kam as si ta shoh e as si ta dëgjoj. Përshtypja ime është se tani do të intensifikohet lufta hibride kundër Republikës së Kosovës, në veçanti kundër Qeverisë tonë, kundër Grupit tonë Parlamentar, dhe kryetares së Grupit tonë Parlamentar, e kemi parë edhe në të kaluarën, dhe unë nuk pres shumë çka të re prej atyre të vjetërve të cilët natyrisht problemin më të madh e kanë që sikurse në këto tri vite e gjysmë që ka pasë sundim të ligjit, rend publik dhe integritet territorial nuk i gjeni asnjëherë në Kosovën e pasluftës”, ka thënë Kurti në një konferencë për media.
Në audio-incizimin e publikuar sot, Simiq e telefonon Kusari-Lilën dhe i tregon se është bashkë me Radoiçiqin, të cilit ia kalon telefonin.
Biseda të tilla ishin publikuar edhe vitin e kaluar. Shefja e grupit parlamentar të VV-së nëpër emisione televizive kishte mohuar se kishte folur në telefon me Radoiçiqin. Por asnjëherë qartë. Më vonë kishte deklaruar se ka folur me Radojçiqin vetëm pasi Simiq e kishte lëshuar në “internon” telefonatën me kriminelin serb gjatë takimit që kishte me Kusari-Lilën.
”Unë personalisht asnjëherë në jetë nuk e kam takuar. Unë nuk mund t’ia ndalojë Sllavko Simiq-it ta thërret Radoiçiqin. Ai ka lëshuar në interfon që ta dëgjojë për pakënaqësitë që ai i kishte me gjërat që ndodhnin në terren”, ishte arsyetuar Kusari-Lila në një deklaratë për Klan Kosova më 10 korrik 2023. /Reporteri.net/