Kurti: Dëshirojmë normalizim të marrëdhënieve, por Serbia është gjithnjë e më abnormale

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Kosova dëshiron normalizim të marrëdhënieve me Serbinë por që ajo, sipas kreut të Qeverisë është gjithnjë e më abnormale.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë edhe partnerë edhe aleatët tonë andaj ne do të bashkëpunojmë ngushtë në mënyrë që të bëhet normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë, por duhet ta kuptojmë që kemi një Serbi gjithnjë e më abnormale, pra ndërkohë që ne dëshirojmë normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, ky vit që posa lamë pas është vit i abnormalizimit të mëtutjeshëm me Serbinë”, ka thënë ai të martën pas përfundimit të takimit që ka mbajtur me kryetarët e komunave.

Kurti ka theksuar se Serbia e ka refuzuar planin franko-gjerman dhe sipas tij të gjithë do të duhej të merren me të, meqë Qeveria e Kosovës e ka konsideruar të njëjtin si bazë të mirë për diskutim.

Një ditë para se në Kosovë të arrijë këshilltari i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, Kurti ka thënë se vizita e tij është më shumë se e mirëpritur dhe sipas tij vjen në një moment të rëndësishëm kur po afrohet njëvjetori i invazionit rus në Ukrainë.

Kurti ka thënë se agresioni ushtarak atje ka pasur pasoja edhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke përmendur këtu Serbinë e cila nuk i ka vendosur sanksione Rusisë por ka bërë marrëveshje me ta.

Në anën tjetër, Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq tha sot se Serbia është e vendosur të ruajë paqen dhe stabilitetin në Kosovë si dhe dëshiron një marrëveshje politike për të gjitha çështjet e hapura.

Në një konferencë me ministrin e Punëve të Jashtme të Hungarisë, Peter Sziart në Budapest, Daçiq tha se Serbia beson se çështja e Kosovës mund të zgjidhet vetëm me kompromis dhe se është shumë e ndjeshme për faktin se ajo trajtohet në përputhje me politika e standardeve të dyfishta kur bëhet fjalë për integritetin territorial.

“Integriteti territorial ose është parim ose nuk është, nuk mund të qëndrohet në një rast dhe të thuhet ndryshe. Kur flasim për këtë mendojmë se e dinë të gjithë, por ndoshta në Evropë nuk e dinë, por ndoshta nuk ka rëndësi që Jugosllavia ishte një shtet federal i përbërë nga gjashtë njësi federale dhe ato gjashtë kishin të drejtën të krijonin shtetet e tyre”, tha Daçiq.

/GazetaSinjali/

Read Previous

Ministrja Haxhiu suspendon përmbaruesin Ilir Mulhaxha

Read Next

BE-ja do t’i vë sanksione të reja Bjellorusisë