Kurti deklarohet për barrikadat, koeficientin e pagave me ligjin e ri dhe emërimin e ministrit të Shëndetësisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mbajtur të shtunën një konferencë për media ku ka japur shpjegime për disa çështje që për disa ditë i la ‘nën hije’. Ai tregoi se kur do përcaktojë koeficientin e pagave sipas Ligjit të ri për Pagat, kur emërohet ministri i ri i shëndetësisë dhe foli edhe për heqjen e barrikadave në veri të Kosovës.

Duke folur për Ligjin e Pagave dhe për Ligjin për Zyrtarët Publikë, kryeministri Kurti tha se u desh më shumë kohë për t’i miratuar këto ligje pasi tha se duan që “të mos rrëzohen nëpër gjykata”, transmeton Gazeta Online Reporteri.net.

“Ligji për Paga u bë shumë mirë që kaloi në Kuvendin e Kosovës bashkë me Ligjin për Zyrtarët Publikë. Kemi marrë kohë mbase më shumë sesa që do të kishim dëshiruar, por jo më shumë sesa që ka qenë e nevojshme. Dëshirojmë të përgatitemi mirë që ligjet të mos na përfundojnë e rrëzohen nëpër gjykata, andaj edhe duke pasë parasysh edhe përvojën e hidhur kur u tentua herën e parë na është nevojitur një kohë e tillë më e gjatë”, theksoi Kurti në një konferencë të përbashkët për media me Ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

Kryeministri Kurti njoftoi se kur do të merren pagat sipas ligjit të ri dhe vlerën e buxhetit që u nda për to.

“Prej 1 shkurti hyn në fuqi, totali i përgjithshëm i buxhetit për paga është 745 milionë euro. Për neve pikënisja është tërësia. Andaj ne s’e kemi pasë si pikënisje vlerën e koeficientit, por tërësinë e buxhetit. Në muajin janar kjo do të vendoset sigurisht dhe pas 1 shkurtit do të fillojnë pagat me Ligjin e Pagave”.

Vlera e koeficientit, Kurti tha se do përcaktohet në janar.

“Ne nuk mundemi ta përcaktojmë koeficientin në Ligjin e Pagave sepse kjo lidhet me buxhetin dhe do ta bëjmë në muajin janar. Ju po kërkoni tash përafërsisht sot më 24 dhjetor, unë po kërkoj pak durim prej juve dhe jo përafërsisht, por saktësisht në janar 2023”.

Lidhur me barrikadat e vendosura në veri tash e 15 ditë, Kurti tha se nuk mund të lejojnë që kjo situatë të vazhdojë edhe për shumë gjatë, andaj ai ka paralajmëruar takim me komandantin e KFOR menjëherë pas Krishtlindjeve.

Kurti tha se në barrikada po qëndrojnë persona të uniformuar dhe të armatosur që për qëllim kanë destabilizimin e vendit.

“Shumë shpejt pas Krishtlindjeve duhet ta kemi një takim me komandantin e KFOR, unë si kryeministër dhe në të cilin besoj do të sqarojmë gjithçka. Kjo nuk mund të tolerohet kështu pafundësisht, tashmë u bënë dy javë dhe nuk mund të lejojmë të kalojnë javë e javë tjera. Në atë takim besoj do të sqarohet gjithçka”, tha Kurti në një konferencë për media.

Çështje me rëndësi për opinionin ka qenë edhe fakti se Ministria e Shëndetësisë për gati 80 ditë po operon vetëm me ushtrues detyre, e pa ministër.

Kjo pasi ish-ministri Rifat Latifi kishte dhënë dorëheqje në tetor të këtij viti.

Kështu, Kurti njoftoi se ministri i ri do të emërohet në fillim të javës së ardhshme.

po “Po duhet ta marrim një vendim për ministrin e Shëndetësisë, Do ta bëjmë para vitit të ri, në fillim të javës së ardhshme”, ka theksuar Kurti. /Reporteri.net/

Read Previous

Çfarë duhet të dini për variantin Delta nëse jeni shtatzënë?

Read Next

Me nisma ligjore kërkohet të ndihmohet rritja e konsumit të produkteve vendëse