Kur politika ‘përplaset’ me drejtësinë – Projekti i azilkërkuesve në Shqipëri në prag të dështimit

Qendrat janë bosh sepse një gjyqësor italian prishi planet e qeverisë.

Gjyqtarët iu referuan një vendimi të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë, zbatimi i të cilit redukton ndjeshëm numrin e vendeve të sigurta të origjinës.

Meloni në kritikën e saj thotë se duhet të jetë kryesisht përgjegjësi e qeverive dhe parlamenteve të përcaktojnë “vendet e sigurta të origjinës”, jo gjykatat.

Por sundimi i ligjit e mposht populizmin.

Të paktën kështu thotë një analizë e ligjeve ekzistuese dhe të planifikuara në nivel kombëtar dhe evropian nga Qendra për Politika Evropiane (CEP).

Për ekspertët dëbimi i refugjatëve nga Italia në vendin e tyre të origjinës nëpërmjet Shqipërisë nuk do të legjitimohet as në të ardhmen.

“Zgjidhja e problemeve të migracionit duke kufizuar të drejtat e njeriut nuk është një opsion i zbatueshëm”, thotë Andrea De Petris, ekspert ligjor në Romë.

Më 4 tetor, Gjykata Evropiane e Drejtësisë (GJED) interpretoi direktivën evropiane që rregullon konceptin e një vendi të sigurt të origjinës, duke nënkuptuar se për t’u konsideruar “i sigurt”, një vend duhet të jetë i tillë në të gjithë territorin e tij dhe pa dallim për kategori të caktuara njerëzish.

“Qeveria italiane ka publikuar një dekret me anë të të cilit synon të përcaktojë listën e saj të vendeve të sigurta, edhe nëse këto nuk korrespondojnë me parametrat e vendosur nga praktika gjyqësore dhe rregulloret evropiane. Duke qenë se kjo është një dispozitë ligji kombëtar, dekreti duhet të jetë në përputhje edhe me ligjin evropian”, nënvizon De Petris.

As dekretet italiane dhe – me shumë mundësi – ligji evropian për migracionin i miratuar në qershor 2026 nuk duhet të ndryshojnë situatën.

Nisur nga vështirësitë në zbatimin e rregullave të krijuara nga modeli shqiptar, ekspertët ligjorë besojnë se vendet e tjera anëtare të BE-së duhet të shmangin imitimin e këtij modeli diku tjetër, të paktën tani për tani.

Detabi politikë-gjyqësor

Skema ka çuar në një grindje mes qeverisë dhe gjyqtarëve, të cilët janë akuzuar nga partitë e ekstremit të djathtë për pengim të projektit.

Nicola Gratteri, kryeprokurori i Napolit dhe një nga gjyqtarët më autoritativë në Itali, tha në një intervistë televizive këtë javë: “Ne duhet të ndalojmë së sulmuari gjyqtarët vetëm sepse nuk na pëlqen një vendim”.

“Nuk dua të jap një gjykim politik, por them se në këtë moment në Shqipëri janë 250 oficerë ligjzbatues që nuk po bëjnë asgjë. Është humbje të mbash 250 oficerë policie në një mision në Shqipëri, ndaj mendoj se ata duhet të kthehen në Itali ku po luftojmë me mungesën e personelit për mijëra policë”.

Qeveria ka thënë se qendrat në Shqipëri “do të mbeten të hapura dhe funksionale” dhe se transferimet në Itali janë bërë sipas nevojave të personelit. Megjithatë, besueshmëria e kryeministres së Italisë, Giorgia Meloni, është në rrezik pasi ajo e bëri emigracionin një çështje qendrore të fushatës.

Në të kaluarën ajo ka kritikuar paraardhësit për shpenzimin e parave publike për menaxhimin e krizës së migracionit. Transporti nga deti në një anije ushtarake italiane me vetëm tetë burra që mbërritën në Shqipëri gjatë një fundjave në mes të nëntorit kushtoi 250 mijë – më shumë se 31 mijë për azilkërkues në bord.

Elisabetta Piccolotti, një deputete e partisë së Aleancës së Gjelbër dhe të Majtë, tha: “Qeveria ka dështuar duke e ditur se do të dështonte. Ata kanë shpenzuar një mal me para dhe kanë luajtur me të drejtat e njerëzve. Kjo do të mbetet në histori si një faqe e turpshme për vendin tonë”. /Albanianpost.com

Read Previous

Partia qeverisëse e Gjeorgjisë emëron ish-futbollistin e ekstremit të djathtë për president

Read Next

Pistat u mbyllën përkohësisht në aeroportin e Parisit pasi dronët u vendosën për të kërkuar qenin e zhdukur