Një zëdhënës i Komisionit Evropian (KE) ka thënë të martën për Albanian Post se Kosova, ashtu sikurse vendet e tjera të rajonit, do të kualifikohet për t’i pranuar pagesat nga Plani i Rritjes së Bashkimit Evropian (BE) për Ballkanin Perëndimor, nëse i përmbush parakushtet e përcaktuara.
“Ne nuk kërkojmë arsye për t’i bllokuar pagesat. Përkundrazi, ne duam të përdorim Planin e Rritjes si një mjet për të mbështetur reformat. Kosova do të kualifikohet për fondet sipas Planit të Rritjes, në përputhje me rregulloren për Lehtësimin e Reformës dhe Rritjes për Ballkanin Perëndimor”.
Gjashtë vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor – Kosova, Shqipëria, Bosnje-Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia – synojnë të anëtarësohen në BE dhe janë në faza të ndryshme të arritjes së këtij qëllimi, ndërsa plani i rritjes së BE-së për rajonin përfshinë investime prej 6 miliardë euro dhe akses në tregun e brendshëm të bllokut në fusha të caktuara.
E krahas Kosovës, Shqipërisë, Bosnje-Hercegovinës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, Serbisë dhe Turqisë, për herë të parë, paketa investuese e BE-së do të përfshijë gjithashtu dy vende të reja – Ukrainën dhe Moldavinë. Plani do të ekzekutohet pas përmbushjes së reformave të kërkura, kryesisht sa i përket përshtatjes së kornizës ligjore të BE-së dhe aspekteve të sundimit të ligjit.
Në bazë të Rregullores së BE-së për Lehtësimin e Reformës dhe Rritjes për Ballkanin Perëndimor, që ka hyrë në fuqi më 25 maj 2024, secili shtet përfitues duhet të miratojë në nivel të qeverisë agjendën e reformave. Pas dorëzimit zyrtar të agjendës, mund të kërkohet lirimi i fondeve të para.
“Jemi duke analizuar agjendat e reformave nga Mali i Zi, Shqipëria, Kosova, Serbia dhe Maqedonia e Veriut. Ne presim të kemi konsultime në fillim të shtatorit. Duke u nisur nga ajo se do të ketë një shumicë të kualifikuar në mesin e shteteve anëtare, procesi për miratimin e agjendave të reformave pritet të përfundojë në fillim të shtatorit”, ka njoftuar një zëdhënës i KE-së.
Në këtë kontekst, zëdhënësi i KE-së ka përsëritur se për Kosovën dhe Serbinë, përveç përmbushjes së kritereve që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit dhe reformat institucionale, parakusht do të jetë edhe anagazhimi në mënyrë konstruktive në procesin e normalizimit dhe zbatimi i plotë i të gjitha obligimeve që burojnë nga procesi i dialogut nën patronazhin e BE-së.
“Plani i Rritjes prej 6 miliardë eurosh për gjashtë partnerët nga Ballkani Perëndimor paraqet një ofertë gjithëpërfshirëse të BE-së për t’i forcuar kushtet socio-ekonomike… Normalizimi i marrëdhënieve është një kusht thelbësor në rrugën evropiane të të dyja palëve. Të dy rrezikojnë të humbasin mundësi të rëndësishme në mungesë të progresit”, ka potencuar ai.
Kosova ka dorëzuar në maj draftin e narrativit dhe tabelën e plotë të dakorduar të agjendës së reformave mbi Planin e Rritjes. E vendi i vogël ballkanik pritet të përfitojë nga Plani i Rritjes një shumë prej rreth 945 milionë euro, të cilat do shërbejnë në zbatimin e reformave dhe projekteve.
Fondet e Planit të Rritjes do të ndahen dy herë në vit, në bazë të kërkesave të shteteve në Ballkanin Perëndimor, pas verifikimit dhe konfirmimit nga komiteti i posaçëm i KE-së se janë përmbushur kushtet përkatëse, veçanërisht në lidhje me stabilitetin makrofinanciar të vendit, menaxhimin e mirë të financave publike, transparencën dhe mbikëqyrjen e buxhetit./Albanianpost.com