Ilir Muharremi, kritik i artit
I trishtë dhe i thellë është peneli i Agim Ramadanit i cili është ngjyer në magmën dhe vërshimin e trishtë të klithmës së lirisë dhe vuajtjet shekullore të këtij populli. Pikturat në frymën abstrakte sjellin përmbytje, ngulmime plot ethe dhe pasione sidomos me ngjyrën e kuqe e cila të dehë me tërbimin dhe gostinë e zjarrit, me lumenjtë e gjakut. Një e kuqe e lehtë me tone dhe gjysmë tone, e përshkallëzuar e spërkatur nga dhimbja, aty-këtu e vërshruar me njolla gjaku në tërë kompozicionin ku pena e tij është ngjyer me gjak dhe lëshon vërshimin e vet si dëshmi të kufinjve. Ndoshta kjo ngjyrë prek simbolin e kthjelluar antik-historik gjithmonë të dyshuar nga armiqtë që turreshin me hov zjarmues.
Ngjyra e kuqe jetëson të gjitha të dëshirueshmet reale që dikur ishin vetëm përfytyrime. Zemra e Agimit e ndodhur mes territ, e prekur nga një shkëndijë që ja mbulonte sythin e ofshamës, e ky zemërgur në pikturë nxori kompozicione klithmë-drite dhe vullnet pranvere, dhe ti gjithmonë sodit e lundron nëpër atë bukuri e cila edhe sot shumohet si çdo petale luleje.
Në vepra tjera vërejmë një blu të çelur të qiellit teksa lehtshëm duket sikur puth blunë e detit ose magjishëm ngjitet në shkallët e parajsës. Si në pikturat e Klod Monet, relaksohesh i tëri duke u ngopur me energji të dritës. Te Agimi bluja e hap kompozcionin, krijon thellësinë nxit paqen, shpresën çliron ndjesinë e largësisë, distancës dhe perspektivës. Pastërtia, ftohtësia e kësaj bluje qëndron rrëbeshëm përballë të verdhës, të kuqes, grisë, të bardhës dhe duket si një sakrificë. Ngjyrat nuk janë të ngopura me bojë, janë me një shtresë të hollë dhe duken si ilustrative.
Psikologjia e Agimit reflekton përmes këtij vërshimi ngjyror duke kthjellë një botë të trazuar, të trimëruar, të pastër, lojë kaosi, kontrast i qetësisë, mirëpo të gjitha janë të radhitura bukur dhe këtu shihet strategjia e kthjelltë e tij./Ilir Muharremi/ KultPlus.