Botërori për klube ka dy ditë që ka nisur në Amerikë dhe për presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, gjithçka po shkon për mrekulli. Ai ka hedhur sërish poshtë zërat se ky event po krijon probleme te klubet dhe lojtarët, që nuk po pushojnë sa duhet dhe mund të dëmtohen.
“Ne kemi nënshkruar një memorandum mirëkuptimi me ECA (Shoqata e Klubeve Europiane) nga viti 2023 deri në 2030, dhe kjo ka sjellë stabilitet në futboll. Kemi gjetur një ekuilibër mes klubit dhe ekipeve kombëtar në futboll“, deklaroi presidenti i FIFA-s pas mbledhjes së komitetit ekzekutiv të ECA-s në Miami.
“Ashtu siç ishte Botërori i parë për kombëtaret në vitin 1930 në Uruguaj, ky është një turne historik për futbollin e klubeve. Janë kaq shumë lojtarë, skuadra dhe kombe të gatshme për të shkëlqyer në skenën botërore. Është historik dhe, së bashku, ne kemi bërë të mundur këtë Kupë të jashtëzakonshme për klube“, shtoi Infantino. /Telesport.al/