Vijon për të 5-ën ditë radhazi protesta e shoqërisë civilë përpara selisë së Kryeministrisë kundër rritjes së çmimit të naftës dhe produkteve të tjera të shportës.
Ndonëse ditën e djeshme pati një ulje të çmimit të naftës dhe u prezantua një paketë ndihme nga kryeministri, protestuesit janë ende të pakënaqur me këtë reflektim duke e quajtur minimal.
Ashtu si një ditë më parë, ku pjesëmarrja e qytetarëve ishte masive, protestuesit janë nisur nga sheshi “Skënderbej” për t’u pozicionuar përpara Kryeministrisë, ku shumë aktivistë dhe qytetarë mbajnë fjalimet e tyre.
Deri në këto momente, protesta është mbajtur larg ndikimeve politike, madje dhe në raste kur qytetarë janë përpjekur të shprehin bindjet e tyre, nuk janë lejuar nga organizatorët.
Protesta të ngjashme tashmë po zhvillohen në shumë qytete të Shqipërisë, ku qytetarët e pakënaqur kërkojnë reagimin e menjëhershëm të qeverisë për të ulur ndikimin e krizës.
Në disa raste protestuesit kanë bllokuar kryqëzimet dhe rrugët kryesore të qyteteve, duke sjellë dhe reagimin e Policisë, e cila ka arrestuar shumë prej tyre./a2news.com/