Kulla e Azem dhe Shotë Galicës, simbol i qëndresës kombëtare

Galica njihet si vendlindja e heroit kombëtar Azem Bejta, një figurë e rëndësishme e rezistencës shqiptare. Në këtë fshat ndodhet kulla e Azem dhe Shotë Galicës, një monument historik që dikur shërbente si vendtakim për zgjidhjen e çështjeve kombëtare.

Profesori dhe historiani Izet Myftari ndau më shumë detaje mbi rëndësinë e kësaj kulle dhe jetën e Azem Galicës.

Ai tregoi se Shota Galica, bashkëluftëtarja dhe bashkëshortja e Azemit, kishte emrin e lindjes Qerime Halil Radisheva. “Meqenëse ishte e vetmja vajzë në familje mes shtatë fëmijëve, babai i saj e quajti me emrin përkëdhelës Shotë,” tha Myftari.

Historiani foli gjithashtu për betejën e Arbërisë, ku Azem Galica u plagos rëndë dhe ndërroi jetë në moshën 35-vjeçare. Para se të ndërronte jetë, ai la një amanet për familjen: “Nëse lind djalë, t’i vënë emrin Azem, dhe nëse lind vajzë, t’ia lënë emrin Azemine.” Në atë kohë, Shota ishte shtatzënë dhe fati e deshi që të lindte një vajzë, të cilën e quajtën Azemine. Ajo jetoi deri në vitin 1999, por nuk pati pasardhës, duke mbyllur kështu vijën horizontale të familjes së Azemit.

Kulla e Azem dhe Shotë Galicës mbetet sot një simbol i qëndresës dhe historisë kombëtare, një dëshmi e sakrificës për liri dhe atdhe. /RTKlive

Read Previous

Ja sa kosovarë hoqën dorë nga shtetësia gjatë vitit 2024

Read Next

SHBA fillon fluturimet e deportimit për në Venezuelë