Me një akademi solemne të organizuar nga Shoqata e Intelektualëve ”Jakova” në 10 vjetorin e vdekjes,është kujtuar një ndër shkrimtarët më të mëdhenjë të letërsisë shqiptare, Teki Dervishi. Njihet si autor i më shumë se 90 veprave, autor i shumë dramave, poezive, prozave e publicistikës, por edhe si njeri i veçantë. Kështu e kujton edhe kryetari i komunës Ardian Gjini, i cili tha se ka qenë privilegj ta ketë njohur personalisht një njeri si Tekiu.
Më pas në tryezën shkencore, profesori Arben Hoxha shpalosi analizën e tij mbi prozën e Teki Dervishit, duke e cilësuar shkrimtarin si një ndër më të talentuarit të letërsisë shqipe.
Mbi opusin dramaturgjik të Tekiut foli, regjisori Fadil Hysaj, i cili ka qenë pranë autorit në krijimin e disa prej veprave më të njohura të tij.
E mbi rrugtëtimin e përbashkët drejt kësaj fushe foli profesor, Haqif Mulliqi. Ai tha se Teki Dervishi dhe publicistika kanë pasur një lidhje unike.
Shoqata e intelektualëve “Jakova”, nderoi me mirënjohje familjen Dervishi.Në këtë akademi u tha se mungesa e Tekiut ka lënë boshllëk të madh në letërsinë shqiptare.