Kryeprokurori i SPAK, Altin Dumani: Duhet bashkëpunim i ngushtë rajonal në luftën kundër krimit

Kryeprokurori i SPAK, Altin Dumani ka marrë pjesë në forumin Konsultativ të Prokurorëve të Përgjithshëm dhe Specialë të Ballkanit Perëndimor në Tiranë, ku u shpreh se “nuk na bashkon gjeografia, por lufta kundër krimit”.

Ai theksoi se “lufta kundër krimit të organizuar është një betejë që nuk njeh kufij gjeografikë, por kërkon bashkëpunim të ngushtë rajonal dhe ndërkombëtar”.

“Grupet dhe organizatat kriminale janë të ndërlidhura dhe për shpërbërjen e tyre kërkohet punë e koordinuar në nivel rajonal. Duhen më shumë hetime të përbashkëta, besim, vizion dhe ndarje informacionesh”, shtoi Dumani.

Duke u ndalur te bashkëpunimi me Eurojust, Dumani nënvizoi se ai përbën një nyje strategjike, që ka mundësuar trajtimin e rasteve të ndërlikuara përmes punës së përbashkët.

Ai shtoi se SPAK po përballet me një fluks të lartë çështjesh dhe se vetëm në periudhën janar-maj janë zhvilluar 10 mbledhje dhe janë krijuar 23 skuadra hetimore me vendet e BE-së dhe rajonit, si dhe 1 skuadër me Amerikën Latine.

“Skuadrat e përbashkëta, hetimet financiare dhe rikuperimi i aseteve, si dhe ndarja e informacionit në kohë reale, janë elementë kyç në suksesin tonë,” përfundoi Dumani. /Albanianpost.com

Read Previous

Fatmir Limaj: Kjo që po ndodh është skandaloze

Read Next

Trump: Banorët e Teheranit të evakuohen