Kryeministri i sapozgjedhur i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, është takuar sot me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, në margjinat e Konferencës së Sigurisë në Mynih të Gjermanisë, raporton Gazeta Sinjali.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Xhaferi thotë se me Ramën, të cilin e quan mik të mirë, kanë biseduar për dy ngjarjet e rëndësishme që do të mbahen në Tiranë.
“Biseduam për dy evenimentet shumë të rëndësishme mikpritës i të cilave do të jetë Tirana: Samiti i EJL- Ukrainë dhe Konferenca në nivel të lartë, e dedikuar për Planin e rritjes të BE-së. Më gëzon që takimi më 29 shkurt do të paraqesë vazhdim të takimit që u realizua në Shkup më 22 janar, duke e konfirmuar rëndësinë që ia kushtojmë përforcimit të mëtejshëm të ndërlidhjes rajonale dhe tregut të përbashkët rajonal, si parakusht për përgatitjen për hyrje në tregun e përbashkët evropian”, thuhet në postimin e Xhaferit.
Kujtojmë se kryeministri teknik i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, më 29 janar ka marrë zyrtarisht detyrën nga paraardhësi i tij, Dimitar Kovaçevski.
Qeveria teknike do të funksionojë për 100 ditë dhe do të ketë mandat për organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve parlamentare, më 8 maj.
Për zgjedhjen e ekzekutivit, votuan 65 deputetë, tre ishin kundër dhe nuk pati abstenim.
Për Bashkimin Demokratik për Integrim mbështetësit e këtij subjekti, zgjedhja e Talat Xhaferit për drejtimin e Qeverisë teknike, “është arritja më e madhe të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut”.
/sinjali?