KRU “Gjakova” bën pastrimin dhe mirëmbajtjen e rrjetit të kanalizimit publik, por jo atij privat

Gjatë ditës së djeshme mediumi ynë ka transmetuar kronikën rreth problemit të rrjetit të kanalizimit që kanë banorët e banesave kolektive përballë gjykatës në qytetin e Gjakovës. Lidhur me këtë çështje ne jemi interesuar të marrim informacione se si qëndron situata dhe se kush duhet të iu dal në ndihmë këtyre banorëve. Nga komuna e Gjakovës respektivisht drejtori i shërbimeve publike, Shkumbin Kastrati ka thënë se mirëmbajtja dhe pastrimi i rrjetit të kanalizimit ka kaluar në kompetencën e KRU “Gjakova”.

Me të njëjtën pyetje i jemi drejtuar edhe Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Gjakova” për të kuptuar se kush e ka për obligim që të bëjë mirembajtjen dhe pastrimin e rrjetit të kanalizmit të banesave kolektive.Përmes telefonit për televizionin Syri inxhinieri përgjegjës për rrjetin e kanalizimit pranë kësaj kompanie, Avni Caka ka thënë se KRU “Gjakova” në menaxhim ka mirëmbajtjen dhe pastrimin e rrjetit të kanalizimit publik, por jo edhe atë privat.

Që do të thotë se të gjitha banesat kolektive në qytetin e Gjakovës kanë për obligim që ta kenë këshillin shtëpiak dhe të krijojnë një fond me mjete financiare vetanake përmes të cilave mund ta bëjnë rregullimin e çdo defekti të rrjetit të kanalizimit apo edhe dëmtimeve të tjera që ndodhin në brendi të objektit. Inxhinieri Caka tutje ka theksuar se në kuadër të mirëmbajtjes së kanalizimit, përpos debllokimit dhe pastrimit të pusetave, ekipet adekuate nga KRU “Gjakova” gjatë tërë kohës bëjnë edhe inspektimin e pusetave të kanalizimit-fekal. Por të njëjtën punë nuk mund ta kryejnë brenda objekteve të banimit. Dhe për këtë secili qytetarë obligohet që përmes këshillit shtëpiak të investojnë në rregullimin e këtyre problemeve.

Të pyetur se çfarë do të ndërmarrin banorët e këtyre banesave ata kanë thënë për televizionin Syri se të gjithë bashkarisht do të organizohen dhe me mjete vetanake do të rregullojnë defektin e kanalizimit. Poashtu ata janë shprehur se edhe ndihma nga organet kompetente do të ishte e mirëseardhur për komunitetin. Përndryshe kompania e ujësjellësit apelon tek qytetarët për më shumë kujdes, mos të dëmtojnë rrjetin e kanalizimit në objektet tyre të banimit sepse problemet e shfaqura në rrjetin e kanalizimit reflektojnë në kualitetin e jetës dhe mirëqënies së secilit qytetar.

Read Previous

Komuna e Gjakovës shpall konkurs për këtë pozitë

Read Next

Kjo kabllo vjedh fjalëkalimet tuaja