Për nder të 15 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, krerët e shtetit të Kosovës por edhe presidenti i Shqipërisë, së bashku bënë homazhe te varri i ish-presidentit, Ibrahim Rugova.
Presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, kryetari i Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca bashkë me presidentin shqiptar, Bajram Begaj, kanë vazhduar homazhet dhe nderimet edhe te varri i veprimtarit, Adem Demaçi.
Për shënimin e 15 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, Qeveria e Kosovës ka organizuar një sërë aktivitetesh.
Pas mbledhjes festive të Qeverisë, është bërë ngritja solemne e Flamurit të Republikës së Kosovë. Krerët shtetërorë bënë homazhe edhe te Monumenti i të Pagjeturve. Ndërsa, janë paraparë edhe homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, në Prekaz.
Po ashtu, për nder të 15 vjetorit të pavarësisë në sheshet e Prishtinës, do të parakalojnë ushtarët e Forcës të Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës.
Gjatë pasdites, do të ketë edhe aktivitete të tjera.
/KlanKosova/