Tre persona humbën jetën dhe pesë të tjerë u lënduan në një aksident që ndodhi të dielën në rrugën rajonale Mitrovicë-Pejë, për këtë ngjarje kanë reaguar edhe krerët e shtetit, të cilët kanë bërë thirrje për kujdes të shtuar në komunikacion dhe shprehën ngushëllime për familjarët e viktimave.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, iu ka bërë thirrje qytetarëve që të kenë kujdes të shtuar në mënyrë që të evitohen aksidentet.
“Lajmi për aksidentin e trafikut ku 3 persona humbën jetën në rrugën rajonale Mitrovicë-Pejë na jep dhimbje të madhe”.
“Dua të shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për këtë ngjarje trishtuese, duke iu drejtuar familjarëve të viktimave e duke shpresuar që të kenë forcën për ta përballuar humbjen e tyre, e njëkohësisht uroj shërimin sa më të lehtë dhe sa më të shpejtë për 5 të lënduarit e këtij aksidenti”, ka shkruar Kurti.
Teksa, ka thënë se shumë shpejt do të kenë një pasqyrë edhe më të plotë për rastin.
“Ndërkohë që marr shkas për të bërë thirrje për kujdes të përgjithshëm në komunikacionin automobilistik, për të evituar sa më shumë fatkeqësitë”.
Edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, është shprehur thellësisht i tronditur me humbjen e tri jetëve në aksidentin e së dielës.
“Familjarëve të viktimave, miqve dhe të afërmve të tyre, u shpreh ngushëllimet më të sinqerta. Shpirti i tyre u prehtë në paqe! Të lënduarve të tjerë shërim sa më të shpejtë”, ka shkruar Konjufca.
Nga Policia e Kosovës, lidhur me këtë rast është thënë se në këtë aksident janë përfshirë dy vetura, njëra prej tyre veturë zyrtare e policisë.
“Si pasojë e aksidentit, bazuar në informacionet e siguruara kanë humbur jetën tre persona civil, përderisa lëndime kanë pësuar edhe pesë persona tjerë, katër prej tyre zyrtarë policor”.
Lidhur me rastin janë njoftuar edhe institucionet kompetente, Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) dhe Prokurori kompetent të cilët pritet të dalin në vendin e ngjarjes./Albanianpost.com