Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka thënë se nga anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës (KiE), përfitojnë veçanërisht komunitetet joshumicë prandaj me këtë kushtëzim sipas tij shtetet evropiane treguan se s’u intereson fuqizimi i komuniteteve në Kosovë.
“Me këtë kushtëzim, krerët e disa prej shteteve evropiane fatkeqësisht po tregojnë se nuk u intereson edhe aq fuqizimi i komuniteteve tjera joshumicë në Kosovë, si rom, ashkali, egjptian, turk, goran e të tjerë, të cilët më së shumti do të përfitonin nga mekanizmat e Këshillit të Evropës”.
Krasniqi, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’ ka potencuar se kërkesa e Gjermanisë dhe Francës që draft statuti i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese është “sinjal shumë i keq”.
“Kushtëzimi i anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë nga lidershipi aktual i Evropës me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe është sinjal shumë i keq për komunitetet joshumicë në Kosovë”, ka shkruar ai.
Sipas ministrit, Asociacioni s’është kërkesë e serbëve të Kosovës.
“Me Kushtetutë, serbët e Kosovës e kanë të drejtën dhe lirinë e asociimit si çdo komunitet tjetër”.
“Prioritizimi dhe insistimi në mekanizma e entitete një etnike rrezikon që në Kosovë të krijohet një superkomunitet joshumicë, duke e shthurrur kështu harmoninë kushtetuese që ekziston ndërmjet komuniteteve joshumicë”.
Ai tutje ka thënë se si qytetar i kësaj Republike, e pastaj si “egjiptian në Kosovë, kjo më shqetëson jashtëzakonisht shumë”.
Në bazë të agjendës, ministrat e Punëve të Jashtme të 46 vendeve anëtare të Këshillit të Evropës do të mbajnë sesionin pranveror më 17 maj 2024 që përkon me 75-vjetorin e themilimit të organizatës kryesore të kontinentit evropian për të drejtat e njeriut, por Kosova nuk është në agjendë.
Kosova u mbështet nga shumica e deputetëve në Asamblenë e Parlamentare të Këshillit të Evropës për të kaluar fazën e parafundit drejt anëtarësimit në panteonin e kombeve të barabarta evropiane. Por nuk janë përfaqësuesit e popullit ata që e japin fjalën e fundit, por ministrat e jashtëm.
Megjithatë, anëtarësimi i Kosovës për momentin nuk është as në agjendë. Kjo ka të ngjarë të çojë në shtyrjen e vendimmarrjes finale për vendin e vogël ballkanik – ndoshta – për të paktën një vit, nëse jo më shumë, përveç nëse bëhet progres drejt Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, hodhi poshtë kushtin e Gjermanisë dhe Francës që nëse Kosova dëshiron të bëhet anëtarja më e re e organizatës më të vjetër, ajo duhet të ndërmarrë hapa konkretë dhe të pakthyeshëm drejt ngritjes së një mekanizmi vetëmenaxhues për serbët e Kosovës. /Albanianpost.com