Kosovarët ballafaqohen me plotë barriera, rrëfehet kryetari i Odës Ekonomike në Maqedoni të Veriut

Heqja e barrierave doganore, e drejta ligjore për të blerë patundshmëri nga qytetarët e Kosovës, liberalizmi i fuqisë punëtore mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut janë disa nga kërkesat që po i bëhen vazhdimisht qeverive të këtyre dy shteteve për t’i realizuar për qytetarët e këtyre dy vendeve. Kështu ka theksuar për KosovaPress, kryetari i Odës Ekonomikë të Maqedonisë së Veriu, Mendi Qyra.

Qyra derisa ka renditur disa nga sfidat që po ballafaqohet ky shtet, thotë se dy vendet duhet të jenë më bashkëpunues në mënyrë që të rritet ekonomia e tyre. Ndërsa, thekson, problematikë në Maqedoninë e Veriut është se ‘qytetaret nga Kosova nuk kanë të drejtën ligjore të blejnë patundshmëri atje’, për çfarë uron që qeveria e ardhshme e këtij shteti të punojë në këtë drejtim.

Ai derisa pret që qeveria e ardhshme e Maqedonisë së Veriut të jetë më bashkëpunuese me bizneset dhe qytetarët, thotë se masat që ka ndërmarrë qeveria pas luftës në Ukrainë që shkaktuan me inflacion nuk dhanë rezultate efektive, pasi sipas tij, janë mbyllur rreth 3 mijë e 500 kompani.

“Ne kemi një bashkëpunim të ndërsjellët me Kosovën, sidomos kohët e fundit dhe kemi bashkëpunim edhe me kompanitë e ndryshme në Kosovë dhe anasjelltas. Ne jemi si eksportues më të mëdhenj në Kosovë, mirëpo kohët e fundit edhe eksporti nga Kosova në Maqedoni është rritur, dhe vazhdon ë rritet edhe më tutje. Në të dy vendet ekonomia në përgjithësi ekonomia ka pësuar një goditje nga COVID-19, mandej lufta në Ukrainë dhe kriza energjetike që shkaktuan inflacionin dhe vazhdojnë akoma të përcjellin pasojat e këtyre gjendjes që u krijua dhe akoma në Maqedoni ekziston pasoja që ka të bëjë me inflacionin, e cila për fat të keq është akoma afër dyshifror, afër 9.5 për qind që ka të bëjë me rritje të çmimeve që për fat të keq edhe popullata dhe ekonomia vështirë se mbijeton. Në Republikën e Maqedonisë së Veriut, qeveria ndërmori disa masa për sanimin e këtyre problemeve, por masat të cilat u morën me grantin dhe disa mjete që u ndanë për kompanitë e vogla dhe mikro, të cilat më së shumti u goditen nga këto kriza, nuk dhanë shumë rezultate dhe shumë kompani të vogla dhe mikro, që konsiderohen si biznese familjare dështuan dhe janë një numër i tyre rreth 3 mijë e 500 kompani janë mbyllur”, thotë Qyra.

Sa i përket barrierave doganore mes dy vendeve, Qyra ka nënvizuar se këto gjithmonë kanë ekzistuar, porse janë duke marrë masa në këtë drejtim. Sipas tij, barrierat doganore janë sidomos në pjesët e prodhimeve vendore nga Kosova në Maqedoni dhe anasjelltas.

“Barrierat doganore gjithmonë kanë ekzistuar, janë duke u marrë masa. Ne gjithmonë shkojmë nga ajo që Kosova dhe Maqedonia të kenë një liberalizim të doganave dhe mos të ketë barriera doganore dhe kjo normalisht varet nga dy shtetet të cilat duhet të bashkëpunojnë më së shumti dhe këto të largohen, që malli të qarkullojë pa ndonjë problem të veçantë. Barrierat doganore janë sidomos në pjesët e prodhimeve vendore nga Kosova në Maqedoni dhe anasjelltas, të cilat kanë problemin e tyre, kanë harxhime të dyfishta të cilat nuk duhet të tatimohen dhe njëkohësisht duhet edhe procedurat të reduktohen që sa më shpejtë mallrat të mos rrinë nëpër terminale por të lëvizin nga një shtet në tjetrin që shpresoj në të ardhmen dy sistemet të përmirësojnë këtë raport”, shton Qyra.

Problematikë tjetër për qytetarët nga Kosova në Maqedoni është se të njëjtit nuk kanë të drejtën ligjore të blejnë patundshmëri, për çfarë ka kërkuar nga të dy qeveritë të punojnë në këtë drejtim.

“Një problematikë shumë e rëndësishme përveç pjesës doganore që në Maqedoninë e Veriut qytetarët nga Kosova nuk kanë të drejtën ligjore të blejnë patundshmëri e cila nuk vlen edhe për qytetarët e Maqedonisë së Veriut në Kosovë dhe Shqipëri. Ne si Odë Ekonomike e kemi ngritë këtë çështje dhe shpresoj edhe me odat ekonomike të Kosovës duhet ngritur akoma më lartë që qytetarët e Kosovës të kenë të drejtë të blejnë si persona fizik patundshmëri në Republikën e Maqedonisë së Veriut nga apartamentet, truall apo diçka tjetër e cila ndikojë në raportet proporcionale siç është raporti me shtetet tjera, siç mundëson dhe Kosova dhe Shqipëria për qytetarët e Maqedonisë që mund të blejnë patundshmëri. Dhe këtë padrejtësi e kemi propozuar tek partitë politike që janë në garë për të zgjedhë me 8 maj, dhe shpresojmë se bashkërisht duke bërë presion dy qeverive që kjo anomali të largohet dhe në të ardhmen qytetarët e Kosovës të vinë në këtë pjesë për të blerë patundshmëri dhe të lëvizin lirshëm dhe kjo do të ndikojë edhe në afrimin tonë të përbashkët”, thotë Qyra.

Duke renditur problemet që ndikojnë në ekonomitë e dy vendeve, ai thekson se mungesa e fuqisë punëtore mbetet sfidë për këtë vend. Ai vlerëson se dy qeveritë duhet të sjellin liberalizimin e fuqisë punëtore në dy krahët e kufirit që të mos kenë më probleme me vizën e punës, porse të kenë procedura më të lehta.

“Një problem që është i përbashkët, është edhe problemi i fuqisë punëtore e cila e ka kapluar jo vetëm Maqedoninë por tërë rajonin, dhe në këtë drejtim duhet bashkërisht të punojmë. Kështu, dy qeveritë duhet të sjellin liberalizmin e fuqisë punëtore në dy krahët e kufirit që të mund të lëvizin pa ndonjë problem, dhe mos të ketë probleme në lidhje me vizën e punës, sepse kjo ndikon negativisht. Ne në pjesën e Shkupit dhe Tetovës, por edhe në pjesën e Strugës e Dibrës të cilët një numër i madh i punëtorëve vinë punojnë këtu kanë vështirësi për shkak të vizave të punës. Besoj se qeveria e ardhshme të cilët kemi bërë disa propozime se si të bëhet lehtësimi i lëvizjes së fuqisë punëtore që është një ndër problemet më të mëdha në rajon për shkak të migrimit dhe largimit të fuqisë punëtore në perëndim, duhet të gjejmë forma që bashkërisht të zgjidhim, që së pari të zbusim fuqinë punëtore që është deficitare në shumë fusha”, thotë Qyra.

Ndërsa, sa i përket investimeve strategjike, ai thotë se ka mungesë të tyre në Maqedoninë e veriut.

“Investimet janë modeste. Ne kemi investitor të huaj që vinë, por një pjesë e tyre janë në fushën e ndërtimtarisë e cila tek ne jo se na jep ndonjë investim kapital, për arsyeje se kjo fushë e mbizotërojnë më shumë aspekte, edhe në atë profesional, dhe në Maqedoni konsiderohen një pjesë e tyre edhe investimet kapitale të huaj, në fushën e ndërtimit të cilët janë zakonisht apartamentet dhe lokalet afariste të cilat jo që japin ndonjë benefit shtetit për shkak se vinë me kushte të favorshme në raport me kompanitë vendase dhe ne si odë gjithmonë jemi kundër konkurrencës, favorizimeve kompanive që vinë nga jashtë në raport me kompanitë tona që nuk i kanë ato kushte të njëjta që i ofron komuna këtu”, thotë Qyra.

Qyra thotë se viti kaluar kishte shënuar rritje të eksporteve mes Kosovës dhe Maqedonisë së veriut.

“Vitin e kaluar ka pas një lëvizje, rritje të eksportit nga Kosova në Maqedoni edhe meqë Maqedonia dominon gjithmonë në eksport ndaj Kosovës dhe sillet rreth 400 milionë euro, dhe është një ndër shtetet të cilët ka qarkullim mallrash ndaj shumë shteteve tjera dhe konsiderojmë Kosovën një ndër partneret kyç për shkëmbimin e mallrave, megjithatë shpresojmë se kjo të rritet në të ardhmen”, përfundon Qyra. /KosovaPress/

Read Previous

Turqia rikonfirmon votën pro anëtarësimit të Kosovës në KiE

Read Next

Ancelotti: Bayern luajti në nivelin më të lartë të mundshëm