Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat mujore të “Statistikave të Energjisë” për prillin e vitit 2025, duke treguar rritje të ndjeshme në konsumin e energjisë elektrike krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraprak.
Sipas ASK-së, konsumi i energjisë elektrike në prill 2025 arriti në 436.33 GWh, që paraqet një rritje prej 15.69% krahasuar me prillin 2024. Rritja më e madhe është vërejtur në sektorin e amvisërive, me 20.01% më shumë konsum, si dhe në sektorin komercial me 17.34% rritje.
Energjia bruto në dispozicion gjatë këtij muaji ishte 568.03 GWh, ndërsa pjesëmarrja e burimeve alternative në këtë total ishte 19.22%.
Importi i energjisë elektrike u rrit ndjeshëm me 82.19%, duke arritur në 377.08 GWh, ndërkohë që eksporti ra me 24.56%, në 214.75 GWh.
Në aspektin e prodhimit, është vërejtur një rënie e madhe në prodhimin nga termocentralet, me -39.69%, ndërsa prodhimi nga hidrocentralet është rritur me 33.59%, dhe ai nga burimet e erës dhe solare me 13.88%.
Prodhimi i thëngjillit për muajin prill ishte 685.19 mijë tonë, një rënie e lehtë prej 0.52% krahasuar me një vit më parë.
Këto të dhëna tregojnë një varësi të shtuar nga importi i energjisë, ndërsa përdorimi i energjisë alternative mbetet një komponent i rëndësishëm në strukturën energjetike të vendit./Telegrafi/