Çmimet në rritje të karburanteve që prej fillimit të agresionit rus në Ukrainë kanë qenë ndër shqetësimet themelore të qytetarëve në gjithë Evropën, ku peshën më thelbësore e kanë ndjerë ata, të cilët jetojnë në vendet në zhvillim, kryesisht në rajonin e Ballkanit.
Një krahasim mes çmimeve, është bërë së fundmi nga Qeveria në Malin e Zi, ku janë marrë parasysh të dhënat për çmimet e naftës dhe benzinës në tetë vende ballkanike dhe ka rënë në sy fakti – përtej vlerës më të lirë për litër në Malin e Zi – se Shqipëria e Kosova, janë dy vendet me çmimet më të shtrenjta të karburanteve.
Sa i përket benzinës, rekordin e mban Shqipëria, me çmim për litër në vlerën e 1.69 eurove. Teksa Kosova, ndjek me 1.62 euro.
Në vendet e tjera, fillon edhe ulja e çmimit të benzinës, ku në Serbi, ai arrin në 1.48 euro për litër, Bosnjë dhe Hercegovinë në 1.46 euro, Kroaci 1.39 euro apo Maqedoninë e Veriut, 1.37 euro për litër.
Vlera më e ulët, kapet në Malin e Zi, ku një litër benzinë 95 oktanë shitet me 1.26 euro për litër.
Nga ana tjetër, sa i përket naftës, është Kosova ajo që e kap çmimin më të lartë në rajon.
Me 1.9 euro, shitet litri i naftës aty.
Shqipëria ndjek menjëherë pas me 1.88 euro për litër, Serbia me 1.83, Bosnjë dhe Hercegovina me 1.64, Kroacia me 1.62 dhe Sllovenia me 1.6 euro për litër.
Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, për naftën, e kapin vlerën e 1.48 eurove për litër, duke qenë kështu çmimet më të ulëta në rajon.
Njëkohësisht, duhet theksuar se sipas raporteve të fundit nga Eurostat, në Ballkanin Perëndimor, Mali i Zi ka edhe rrogat më të larta për frymë, duke reflektuar kështu një peshë edhe më të ulët të barrës së karburantit në xhepat e qytetarëve. /Albanianpost.com