Këta janë 6 kandidatët e nominuar për dy pozita të gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese

Gjashtë kandidatë janë nominuar për dy pozita të gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese, nominimet e të cilëve pritet të shqyrtohen nga Komisioni i Posaçëm për shqyrtimin e kandidatëve për emërim në këtë gjykatë, më 7 tetor, me fillim nga ora 09:00.

“Betimi për Drejtësi” ka arritur t’i sigurojë emrat e kandidatëve të nominuar në Komision.

Milka Milosavljevic, avokate, Bardh Bokshi, zëvendës-këshilltar i parë në Gjykatën Kushtetuese, Dukagjin Abdyli, këshilltar i lartë në Gjykatën Kushtetuese, Enver Peci, kryetar i Gjykatës Supreme, Flamur Mrasori, kryesues i Bordit të BQK-së dhe Valon Hasani, avokat, janë emrat e të cilëvë do të shqyrtohen në mbledhjen e së premtes, për të parë nëse i kanë përmbushur kushtet e parapara me Kushtetutë dhe me Ligj.

Kujtojmë se procesi për emërimin e dy gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese ka dështuar dy herë radhazi, si mungesë e votave të mjaftueshme në procesin e votimit në dhjetor të vitit 2021 dhe maj të këtij viti.

Komisioni i Posaçëm për këtë çështje, kishte shpallur konkursin publik për herë të tretë në shtator të këtij viti, me ç’rast u nominuan gjashtë persona për gjyqtarë në Gjykatën Kushtetuese.

Instituti i Kosovës për Drejtësi, do ta monitorojë në tërësi procesin e përzgjedhjes së dy gjyqtarëve, gjetjet e të cilit do t’i publikojë me rastin e dërgimit të emrave për votim në Kuvendin e Kosovës. /BetimipërDrejtësi

Read Previous

Kosova dhe Shqipëria me naftën më të shtrenjtë në rajon

Read Next

BE-ja miraton ligjin, të gjithë telefonat do të kenë adapter të njejtë