Kosova dhe Shqipëria me naftën më të shtrenjtë në rajon

Çmimet në rritje të karburanteve që prej fillimit të agresionit rus në Ukrainë kanë qenë ndër shqetësimet themelore të qytetarëve në gjithë Evropën, ku peshën më thelbësore e kanë ndjerë ata, të cilët jetojnë në vendet në zhvillim, kryesisht në rajonin e Ballkanit.

Një krahasim mes çmimeve, është bërë së fundmi nga Qeveria në Malin e Zi, ku janë marrë parasysh të dhënat për çmimet e naftës dhe benzinës në tetë vende ballkanike dhe ka rënë në sy fakti – përtej vlerës më të lirë për litër në Malin e Zi – se Shqipëria e Kosova, janë dy vendet me çmimet më të shtrenjta të karburanteve.

Sa i përket benzinës, rekordin e mban Shqipëria, me çmim për litër në vlerën e 1.69 eurove. Teksa Kosova, ndjek me 1.62 euro.

Në vendet e tjera, fillon edhe ulja e çmimit të benzinës, ku në Serbi, ai arrin në 1.48 euro për litër, Bosnjë dhe Hercegovinë në 1.46 euro, Kroaci 1.39 euro apo Maqedoninë e Veriut, 1.37 euro për litër.

Vlera më e ulët, kapet në Malin e Zi, ku një litër benzinë 95 oktanë shitet me 1.26 euro për litër.

Nga ana tjetër, sa i përket naftës, është Kosova ajo që e kap çmimin më të lartë në rajon.

Me 1.9 euro, shitet litri i naftës aty.

Shqipëria ndjek menjëherë pas me 1.88 euro për litër, Serbia me 1.83, Bosnjë dhe Hercegovina me 1.64, Kroacia me 1.62 dhe Sllovenia me 1.6 euro për litër.

Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, për naftën, e kapin vlerën e 1.48 eurove për litër, duke qenë kështu çmimet më të ulëta në rajon.

Njëkohësisht, duhet theksuar se sipas raporteve të fundit nga Eurostat, në Ballkanin Perëndimor, Mali i Zi ka edhe rrogat më të larta për frymë, duke reflektuar kështu një peshë edhe më të ulët të barrës së karburantit në xhepat e qytetarëve. /Albanianpost.com

Read Previous

Zelensky firmos dekretin: Nuk ka negociata me Rusinë sa të jetë Putin president

Read Next

Këta janë 6 kandidatët e nominuar për dy pozita të gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese