Konklavë, montohet oxhaku i cili përmes ngjyrës së timit do të njoftojë për përcaktimin e Papës

Zjarrfikësit e Vatikanit kanë qenë duke punuar që nga mëngjesi për të rregulluar oxhakun mbi Kapelën Sistine, ku kardinalët do të mblidhen në konklavë duke filluar nga 7 maji.

Ky do të jetë kanali i komunikimit mes konklavës dhe pjesës tjetër të botës për të njoftuar ardhjen e pasuesit të Papës Françesku, njofton ANSA.

Oxhaku do të lidhet me dy soba, një prej gize dhe një më moderne. E para është nga viti 1939 dhe do të përdoret për të djegur fletët e votimit; e dyta është më e re, nga viti 2005, dhe do të përdoret për të djegur bombolat e tymit që japin ngjyrën e zezë në rast të dështimit të zgjedhjes dhe të bardhën kur zgjidhet pasuesi i Papës Françesku.

Historia e tymit është plot me anekdota, pasi në të kaluarën ngjyra nuk ka qenë gjithmonë e qartë, të paktën në fillim të daljes së tij. Për këtë arsye, që nga zgjedhja e Ratzinger-it në vitin 2005, është vendosur që tymit të bardhë t’i bashkohen edhe tingujt e kambanave. Në këtë mënyrë, mesazhi që do të vijë nga Kapela Sistine, pra që ka një Papë të ri, do të jetë i padiskutueshëm.

Oxhaku, siç ka ndodhur gjithmonë, pritet të ketë një kamerë të mediave të Vatikanit të pozicionuar disa metra larg dhe do të jetë gjithashtu i pajisur me ndriçim, për ta bërë të dukshëm çdo tym që del në mbrëmje. /KosovaPress/

Read Previous

​GLPS: Dështimi i formimit të institucioneve të reja cenon miliona euro për Kosovën

Read Next

Ambasada gjermane: Raporti për lirinë e medias, tregues për hapat që duhet t’i bëjë qeveria e re