Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, në një intervistë për Radio Televizionin e Kosovës (RTK), ka vlerësuar se ngjarjet vdekjeprurëse të 24 shtatorit në fshatin Banjë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – në pjesën veriore të Kosovës, kanë ngritur nevojën për ndryshimin e formatit të procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ai ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka qenë në dijeni për sulmin terrorist të paramilitarëve serbë dhe se autoritetet në Beograd janë të lidhur fort me sulmin e armatosur në pjesën veriore të Kosovës të banuar me serbë etnikë, i cili, sipas tij, ka pasur për qëllim aneksimin e një pjese të territorit kosovar.
“Ata i kanë shfrytëzuar pronat zyrtare të Ushtrisë së Serbisë. Është tallje me të gjitha këto informata dhe me karakterin shtetëror, edhe me informatat që i kanë edhe shërbimet e jashtme, që të thuhet se presidenti dhe figurat e larta të shtetit serb nuk e kanë ditë, përkundrazi qëndrojnë dhe janë të lidhur shumë ngushtë me këtë sulm”, ka theksuar kryetari Konjufca.
Ngjarjet fatale të 24 shtatorit, ku ka mbetur i vrarë një pjesëtar i Policisë së Kosovës dhe tre pjesëtarë të grupit terrorist në krye me Millan Radoiçiçin, ish-nënkryetarin e Listës Serbe – partia më e madhe e serbëve të Kosovës – ka kthyer prapa të gjithë procesin për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi nën kujdesin e Bashkimit Evropian (BE), ka deklaruar ai.
“Goditja që ia ka dhënë [procesit të dialogut] 24 shtatori… ne jemi pothuajse të bindur që nuk mund të vazhdojë në atë regjistër që ka qenë. Duhet të ndryshojë në kuptimin e këtij projekti që e ka prezantuar Emisari [Speical i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav] Lajçak…”, ka thënë Konjufca ndër të tjera.
/albanianpost/