Kongresi i Lushnjës jetësoi pavarësinë e Shqipërisë

Pas afro tetë vjetësh pikëpyetjesh për ekzistencë, që nga themelimi i shtetit shqiptar, Shqipërisë i duhej një institucion shpëtimi. Për më tepër, si shtet evropian, duhet të orientohej për nga institucionet evropiane, përndryshe do të mbetej e huaj për Evropën. Vullneti kombëtar e kërkoi që ky institucion shpëtimi e orientimi të ishte Kongresi i Lushnjës.

Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë më 1912 është zhvillimi më madhor në historinë e kombit shqiptar, sepse përbën zgjidhjen e çështjes jetike të fatit të ekzistencës së mëtejshëm të kombit përmes aktit të pavarësimit dhe krijimit të shtetit si instrument i fuqisë dhe i përfaqësimit të tij. Evropa e formësuar më së shumti mbi ekuilibrat gjeopolitikë dhe më pak mbi vlerat, do ta linte Shqipërinë jo vetëm të përgjysmuar, por edhe e dyshuar për t’u vetëqeverisur. Prandaj, qeverisjen e saj do t’ia besonte një të huaji, gjerman, qeverisja e të cilit nuk do t’u shpëtonte dot pështjellimeve të pamëshirshme të Luftës së Parë Botërore. Në këto pështjellime, Traktati i fshehtë i Londrës i vitit 1915 do t’i vinte vulën e asgjësimit edhe asaj Shqipërie gjysmake që kishte mbetur.

Në këto rrethana, intuita kombëtare do të rizgjohej. Kongresi i Durrësit i vitit 1918 do të ishte një përpjekje për ta mishëruar këtë nerv të kombit, duke riafirmuar shtetin, edhe pse me përfaqësim të cunguar. Një vend vlerash, si ShBA-ja dhe presidenti i saj vizionar Uillson [Woodrow Wilson], në Konferencën e Paqes të vitit 1919 në Paris do të bëhej mburoja e kombeve të vegjël, midis tyre edhe kombit shqiptar. Sidoqoftë, si çdo komb edhe shqiptarët duhet t’i rimerrnin vetë në dorë fatet e tyre dhe kjo orë erdhi në Kongresin e Lushnjës, i cili u mbajt më 21 janar 1920.

Kongresi i Lushnjës ribashkoi firmëtarë të pavarësisë, emra të njohur të elitës kombëtare, të patriotizmit tradicional shqiptar, fetarë e intelektualë nga të gjitha trevat e Shqipërisë: Sulejman Delvina, Iljaz Vrioni, Abdi Toptani, Ndoc Çoba, Aqif Pashë Elbasani, Luigj Bumçi, Mehmet Konica, Dr. Turtulli, Hoxhë Kadria, Sotir Peçi, Ali Riza Kolonja, Eshref Frashëri, Idhomene Kosturi etj.

\

Mbi këtë bazë të gjerë përfaqësuese, në vazhdën e vendimeve të Kuvendit të Vlorës, vendimit të Konferencës së Ambasadorëve të vitit 1913 dhe të statusit të përcaktuar ndërkombëtarisht për qeverisjen e shtetit shqiptar nga Princ Vidi [Wilhelm Wied], Kongresi rikonfirmoi vijimësinë e formës së regjimit. Derisa të zgjidhej çështja e mbretit, u vendos të krijohej “Këshilli i Naltë”. Ky Këshill do të përfaqësonte kryetarin e shtetit shqiptar derisa ky, ashtu si edhe forma e regjimit, të përcaktoheshin përmes thirrjes së një asambleje kushtetuese. Me krijimin dhe përbërjen e Këshillit të Naltë, kongresi përcolli mesazhin e gjithëpërfshirjes – një kriter ky i domosdoshëm për një qeverisje legjitime.

Paralelisht, Kongresi zgjodhi edhe një Këshill Kombëtar (i cili u quajt edhe senat), i përbërë prej 37 anëtarësh me atributet e parlamentit. Nisur nga fakti që ky Këshill plotësonte funksionet e parlamentit, me të drejtë vlerësohet se me këtë zhvillim historik fillon edhe historia e parlamentarizmit në Shqipëri. Kongresi zgjodhi qeverinë e re të kryesuar nga Sulejman Delvina, në përbërje të së cilës përfshihen Ministria e Brendshme, Ministria e Luftës dhe një sërë ministrish të tjera të domosdoshme për një qeverisje të kohës, si institucione bazë për realizimin e politikave të qeverisë, duke i dhënë kështu kuptim atributit shtetëror të sigurisë së brendshme dhe të jashtme.

Kongresi i Lushnjës hodhi bazat e sigurta për një qeverisje përfaqësuese të spektrit kombëtar, e dalë vetëm nga organet legjitime të popullit shqiptar dhe me shkallën më të lartë të besueshmërisë. Kongresi e rikonfirmoi Shqipërinë plotësisht nën juridiksionin e vet politik dhe administrativ, duke hedhur një hap vendimtar për sigurinë e zbatimit të politikave të vendosura prej tij. Ndër vendimet kryesore të Kongresit ishte edhe hartimi edhe miratimi i një dokumenti (Statuti i Lushnjës), për funksionimin e Këshillit të Naltë dhe pushteteve të tjera. Nisur nga gjerësia dhe përmbajtja e këtij Statuti, mund të thuhet se ai përbën Kushtetutën e parë të shtetit shqiptar. Qeveria e dalë nga Kongresi i Lushnjës i kushtoi vëmendjen e duhur pranimit të Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve. Më 12 tetor 1920 u dorëzua kërkesa zyrtare.

Asambleja e Përgjithshme e Lidhjes së Kombeve e pranoi Shqipërinë më 17 dhjetor 1920 si anëtare të Lidhjes. Ky pranim kishte një rëndësi të dyfishtë, sepse me të ripohohej njohja ndërkombëtare e shtetit shqiptar dhe së dyti, pranimi përbënte aktin zyrtar të njohjes së qeverisë së Tiranës nga ndërkombëtarët. Një Kongres vizionar si Kongresi i Lushnjës do të mendonte strategjikisht edhe për kryeqytetin e vendit, prandaj, mbi këtë bazë, vendosi Tiranën për kryeqytet të Shqipërisë. Mendimet që shfaqën disa delegatë, për të qëndruar në qytetin e Lushnjës derisa të stabilizohej disi situata anarkike e krijuar nga qeveria e Durrësit, i kundërshtoi hapur ministri i Brendshëm Ahmet Zogu, i cili iu drejtua delegatëve: “Vendimet e Kongresit do të zbatohen domosdo dhe pa vonesë. Kjo gjë lyp guxim dhe punë, prandaj unë po nisem për në Tiranë”. Pengesat që iu krijuan, ai i kapërceu me guxim, trimëri dhe këmbëngulje: “Unë nuk njoh tjetër autoritet, përveç Kongresit të Lushnjës”.

Si delegatët e Kuvendit Kombëtar të Lushnjës, ashtu edhe qeveria që doli nga ai Kongres, ishin të vetëdijshëm për detyrat e vështira që i prisnin, por ata ishin të vendosur për t’i përballuar të gjitha vështirësitë. Për këtë ishte i domosdoshëm bashkimi i të gjitha faktorëve kombëtare. Prandaj, në cilësinë e një ministri, përkatësisht kryetari i Komitetit “Mbrojtja e Kosovës”, Hoxhë Kadria (Prishtina), u zgjodh të ishte nga Kosova. Nisur nga kritere historike, vlerësohet se Kongresi i Lushnjës jetësoi pavarësinë e Shqipërisë dhe vuri gurin e themelit të parlamentarizmit, si një tipar politik që krahas gjeografisë, do ta afronte Shqipërinë edhe institucionalisht me kontinentin, të cilit i përket. Kongresi rikonfirmoi identitetin kombëtar dhe krijoi një realitet të ri politik dhe historik për popullin shqiptar. Ai zyrtarizoi vijimësinë konstitucionale të shtetit shqiptar, e cila do të vendosej në themel të qëndrueshmërisë së tij në vitet dhe ngjarjet që u zhvilluan më pas./telegrafi/

Read Previous

Ukrainasit marrin mostrat e ushtarëve koreano-veriorë të vrarë në fushëbetejë

Read Next

Xhiro e 18-të sjellë përballje spektakolare në basketboll