Komisionerja e Agjencisë për Informim dhe Privatësi, Krenare Sogojeva Dermaku ka thënë se mbrojtja e të dhënave personale në epokën digjitale të zhvillimit të teknologjisë informative është sfiduese dhe paraqet domosdoshmëri për nxitur bashkëpunimin më të ngushtë mes autoriteteve për mbrojtjen e të dhënave personale në nivel rajonal dhe ndërkombëtar, në shkëmbimin e praktikave me të mira për mbrojtjen e të dhënave personale.
Dermaku këto komente i bëri në konferencën “Rreziqet dhe Pajtueshmëria në Epokën Digjitale” në Kroaci.
“Kosova ka miratuar rregullat e GDPR- it me legjislacionin e saj dhe Agjencia për Informimin dhe Privatësi në procesin vendimmarrës për mbrojtjen e të dhënave personale, aplikon standarde të larta, ashtu siç është përcaktuar me standarde evropiane”, është shprehur komisionerja Dermaku.
Në prezantimin e të arriturave të Kosovës në fushën e mbrojtjen e të dhënave personale, ajo tha se legjislacioni i Kosovës është në harmoni me standardet evropiane për mbrojtjen e të dhënave personale ndërsa bashkëpunimi rajonal dhe ndërkombëtar është shumë i nevojshëm.
Dermaku tutje tha se bashkëpunimi i autoriteteve për mbrojtjen e të dhënave personale në nivel regjional dhe ndërkombëtar do të shërbejë në ndërtimin e një të ardhme të suksesshme, duke siguruar vendimmarrje me standarde të larta ndërkombëtare për mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve. /Telegrafi/