Kina dhe SHBA-ja formalizojnë marrëveshjen për mineralet e rralla

Autoritetet kineze kanë sinjalizuar të premten se do të miratojnë eksportin e mineraleve të rralla tokësore drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vetëm disa orë pasi zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë u deklaruan se të dyja palët kishin arritur përparim të madh, pas disa javësh negociata mbi qasjen e SHBA-së në këto materiale, shkruan CNN.

Mineralet e rralla tokësore janë pak a shumë thelbësore për gjithçka, nga pajisjet elektronike të përditshme deri te avionët luftarakë, duke u kthyer në pikë kyç të diskutimeve tregtare mes dy ekonomive më të mëdha botërore.

“Kina do të miratojë aplikimin për eksport të artikujve të kontrolluar që përmbushin kushtet, në përputhje me ligjin. Shtetet e Bashkuara do të heqin një sërë masash kufizuese të ndërmarra kundër Kinës në përputhje me këtë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë kineze të Tregtisë.

Ky njoftim ka pasuar komentet e presidentit amerikan, Donald Trump dhe sekretarit të Tregtisë Howard Lutnick të enjten, të cilët konfirmuan se të dyja palët kishin arritur një marrëveshje.

Në thelb, marrëveshja formalizon mirëkuptimin e arritur ndërmjet palëve më herët këtë muaj në Londër, për të cilën SHBA-ja në atë kohë kishte thënë se duhej të miratohej nga Trumpi dhe presidenti kinez Xi Jinping.

Të enjten, sekretari amerikan i Tregtisë, Howard Lutnick, u citua nga “Bloomberg News”, tek kishte thënë se Kina “do të na dorëzojë mineralet e rralla”, dhe se sapo ta bëjë këtë, “ne do të heqim kundërmasat tona”, duke iu referuar kufizimeve të eksportit që SHBA-ja i kishte vendosur ndaj Kinës në muajin e kaluar, pasi zyrtarët amerikanë e kishin akuzuar Pekinin për mosrespektim të marrëveshjes së arritur atë muaj në Gjenevë.

Gjatë një aktiviteti të zhvilluar në Shtëpinë e Bardhë, Trumpi kishte bërë të ditur se “ne sapo nënshkruam me Kinën dje”, por pa dhënë më shumë detaje.

Në kuadër të njoftimit, Ministria kineze e Tregtisë është deklaruar shpresëplotë që të dyja palët mund të “forcojnë vazhdimisht konsensusin, të ulin keqkuptimet, të forcojnë bashkëpunimin dhe së bashku të promovojnë zhvillimin e shëndetshëm e të qëndrueshëm të marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare Kinë-SHBA”.

Read Previous

Ambasada e Amerikës në Kosovë: Është përgjegjësi e udhëheqësve politikë të konstituojnë Kuvendin

Read Next

Shoqëria Civile sërish protestë para Kuvendit