Kina akuzon SHBA-në për shkelje të marrëveshjes tregtare

Kina ka akuzuar SHBA për shkelje të rëndë të armëpushimit tregtar, duke paralajmëruar se do të ndërmarrë masa të forta për të mbrojtur interesat e saj.

Ministria e Tregtisë e Kinës tha se veprimet e Uashingtonit kanë “minuar seriozisht” marrëveshjen e arritur gjatë bisedimeve të fundit në Gjenevë, muajin e kaluar, kur të dy vendet ranë dakord të ulën tarifat për mallrat që importohen nga njëri-tjetri.

Zëdhënësi i Ministrisë shtoi se SHBA ka shkelur rëndë konsensusin e arritur gjatë një telefonate mes udhëheqësit të Kinës, Xi Jinping, dhe Presidentit Donald Trump në janar.

Komentet e Pekinit vijnë pas deklaratave të Presidentit Trump, i cili të premten tha se “Kina ka shkelur plotësisht marrëveshjen e saj me ne”, por pa dhënë detaje të mëtejshme. Më vonë, përfaqësuesi i tregtisë Jamieson Greer tha se Kina nuk i kishte hequr barrierat jo-tarifore, siç ishte rënë dakord në marrëveshjen e bisedimeve.

Sipas armëpushimit tregtar të arritur më maj në Gjenevë, SHBA uli tarifat për mallrat nga Kina nga 145% në 30%, ndërsa tarifat hakmarrëse të Kinës ndaj mallrave amerikane ranë nga 125% në 10%.

Të hënën, Pekini deklaroi se shkeljet nga ana e SHBA përfshinin ndalimin e shitjes së softuerëve të dizajnit të çipave kompjuterikë për kompanitë kineze, si dhe paralajmërime ndaj përdorimit të çipave të prodhuar nga gjiganti kinez Huawei. Gjithashtu, Kina akuzoi SHBA për anulimin e vizave për studentët kinezë.

/GazetaSinjali/

Read Previous

Shefi i njërit prej “laboratorëve kryesorë të Inteligjencës Artificiale” tregon se si teknologjia mund të shkaktojë papunësi masive

Read Next

Rizvanolli publikon çmimet konkurruese nga ALPEX në ditën e parë të tregut të lirë të energjisë