Kërkohet taksë e re për më të pasurit në botë

Rreth 26 trilionë dollarë pasuri të krijuara përgjatë pandemisë, i kanë shkuar njerëzve më të pasur të botës, të cilët përbëjnë vetëm 1% të popullatës globale, por zotërojnë 63% të gjithë të ardhurave.

Është ky raporti i fundit nga organizata jo-qeveritare e bamirësisë, Oxfam, e cila ka kërkuar edhe veprime të mëtejshme të menjëhershme kundrejt këtyre fitimeve marramendëse, për ta shpërndarë në mënyrë më të barabartë pasurinë botërore.

Një takse e re sipas tyre duhet prezantuar, në vigjilje të Forumit Botëror Ekonomik në Davos të Zvicrës, i cili do të nisë më 17 janar dhe do të vijojë për tre ditë me radhë.

Me shifra të tilla të paraqitura në raportin e Oxfam, 99% e njerëzve në gjithë botën, kanë për të ardhura vetëm 37% të atyre të prodhimit global.

Një shifër kjo, e cila jo vetëm i jep pushtet të pallogaritshëm në dorë super të pasurve, por lë edhe hapësira shumë të mëdha të pambuluara tek të varfrit.

Pandemia e COVID-19, e tregoi edhe më shumë këtë ndarje, pasi është e vërtetë se miliarderët humbën shuma marramendëse gjatë periudhës dy-vjeçare, por njerëzit e thjeshtë humbën edhe më shumë, edhe pse kjo gjë nuk raportohet, për shkak se kemi të bëjmë me 99% të botës.

Disbalanca mes fitimeve, sipas Oxfam, është e tillë, që për çdo 1 dollar, të cilin e fitonte një person në shtresën e 90% të shoqërisë botërore, një miliarder fitonte rreth 1.7 milionë dollarë.

Jo vetëm kaq, por pandemia ka parë edhe rritje të madhe të numrit të miliarderëve në botë, fitimet tërësore të të cilëve në realitet rriten me 2.7 miliardë dollarë në ditë, pas rënies së vitit 2022.

Për shefin ekzekutiv të Oxfam në Britani, Danny Sriskandarajah, kjo ndarje ekonomike nuk e reflekton aspak vlerën e vërtetë njerëzore, pasi ka një hendek të pafundëm mes shtresave dhe njerëzit po lihen në skamje në pjesë të ndryshme të botës.

Një plan të qartë implementimi për një super taksë ende nuk ka, por pritet që ajo të bëhet me dije në ditët në vijim, për t’u propozuar më pas tek qeveri të ndryshme botërore. /Albanianpost.com

Read Previous

Chelsea është gati të largojë dhjetë lojtarë në verë, shumë yje në listë

Read Next

OKB: Ngadalësimi ekonomik do t’i shtyjë punëtorët në punë më të këqija